Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme në Gjirokastër, ku një 17-vjeçar është gjetur i vetëvarur në banesë. I mituri Veip Peçi, është dërguar në spital pa shenja jete rreth orës 13 e 30 të ditës së sotme.
Ai ka qenë nxënës i gjimnazit “Siri Shapllo”, ku mësonte nxënësja Irsa Muçollari që gjithashtu u vetëvar dy muaj më parë.
Prokuroria e Gjirokastrës ka nisur hetimet për vetëvrasjen e 17-vjeçarit Peçi. Një grup hetimor është ngritur për të përcaktuar shkaqet dhe motivet që e kanë çuar nxënësin e shkollës “Siri Shapllo” drejt vetëvrasjes, ku nuk përjashtohet as pista e bullizmit.
Sipas Report Tv, 17-vjeçari është trajtuar edhe nga psikologia e shkollës. Ajo ka zhvilluar disa seanca me të miturin dhe në dëshminë e dhënë në Policinë e Gjirokastrës, mësohet se ka rrëfyer hollësi nga konsultimet që ka pasur me nxënësin.
“Rreth orës 13:30, në spitalin Rajonal Gjirokastër është çuar nga familjarët, pa shenja jete shtetasi V.P., 17 vjeç, banues në fshatin Valare. Nga veprimet paraprake, dyshohet se 17-vjeçari është vetëvarur në banesë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Gjirokastrës.