Berisha: Balluku e ndau Unazën në 14 kontrata për të vjedhur 14 herë


Gjatë një takimi elektoral në Pukë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, riktheu akuzat ndaj qeverisë dhe veçanërisht ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Ai e akuzoi Ballukun për korrupsion të rëndë në projektin e Unazës së Madhe të Tiranës, duke pretenduar se ndarja e 13 kilometrave të rrugës në 14 kontrata është një skemë për të shumëfishuar përfitimet korruptive.

“Unaza e Tiranës është ndarë në 14 kontrata për të vjedhur 14 herë,” deklaroi Berisha, duke shtuar se çmimi i ndërtimit për kilometër është i pajustifikueshëm krahasuar me vendet e tjera të Europës.

Ai përmendi gjithashtu tunelin e Llogarasë, ku sipas tij janë shpërdoruar 60 milionë euro, si dhe rrugën e Arbrit, për të cilën tha se është ndërtuar me kosto të fryra. Sipas tij, qeveria aktuale nuk mund të sjellë Shqipërinë më afër Bashkimit Europian për sa kohë që qeverisja është e lidhur me afera dhe individë të inkriminuar.

“Nuk shkohet në Europë me kriminelë dhe hajdutë. Me një shtet ligjor po, por jo me banda dhe korrupsion. Shqipëria ka nevojë për drejtësi dhe për një qeverisje që mbron qytetarët, jo për t’i vjedhur,” theksoi ai.

Berisha e cilësoi 11 majin si një ndarje mes “dy epokave”, duke i bërë thirrje qytetarëve të votojnë për ndryshimin dhe për t’i dhënë fund, sipas tij, një regjimi të zhytur në abuzim.