Berisha në SPAK: Dumanit të Ramës i lashë një shënim, mbyllja e aferës McGonigal, krim ndërkombëtar


Pas paraqitjes së tij në SPAK për të zbatuar masën “detyrim paraqitjeje” në lidhje me aferën “Partizani”, ish-kryeministri Sali Berisha ka lëshuar akuza të forta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, dhe kryeministrit Edi Rama.

Nga jashtë godinës së Prokurorisë së Posaçme, Berisha deklaroi se i ka lënë një shënim Dumanit, duke e akuzuar për mbylljen e dosjes “McGonigal”, të cilën e cilësoi si “krim ndërkombëtar”.

Ai tha se Rama ka korruptuar një nga zyrtarët më të lartë të FBI, i cili sipas gjykatës amerikane, kishte detyrë të mbronte qytetarët amerikanë nga korrupsioni, por përfundoi vetë i korruptuar.

“Por aty, Dumanit të Ramës, i lashë një shënim. Mbyllja e aferës McGonigal nga Altin Dumani përbën një krim ndërkombëtar. Krim ndërkombëtar!

Dhe e garantoj Edi Ramën se asgjë në botë nuk e do mund ta shpëtojë nga kjo aferë e tmerrshme, me të cilën ai korruptoi njeriun kryesor, që sipas gjykatësit amerikan, kishte detyrë të mbronte qytetarët amerikanë nga korrupsioni, por u korruptua vetë duke marrë paratë e Edi Ramës.

Dhe për dijeni të shqiptarëve, tani McGonigal, çdo ditë në qeli i çon nga qelia mesazhe Edi Ramës.  Unë vërtet i mora paratë, thotë ai, por ato m’i dhe ti, me të cilat më komprometove.

Kështu që pritet vota e shqiptarëve më 11 maj që Edi Rama të shkojë te McGonigal ndoshta javën e parë.”, u shpreh Berisha.