Berisha sot në SPAK për masën detyrim paraqitjeje, thërret mbështetësit: Të gjithë në dyert e SKAP-it


Sali Berisha pritet të paraqitet sot në SPAK për zbatimin e masës “detyrim paraqitjeje” në kuadër të hetimeve për aferën “Partizani”. Për këtë, ai u ka bërë thirrje militantëve të mblidhen në mbështetje të tij.

“Nesër, ditën e hënë, në orën 08:30, kryetari i PD Sali Berisha do të jetë në dyert e SKAP-it. Ju lutem të mobilizojmë strukturat e degëve për të qenë të gjithë aty”, thuhet në një mesazh të shpërndarë strukturave.

Kjo nuk është hera e parë që Berisha shoqërohet nga mbështetës të tij gjatë paraqitjeve në Prokurori.

Ish-kryeministri Sali Berisha, i liruar nga arresti shtëpiak në nëntor 2024, vijon të jetë nën masën “detyrim paraqitje” dy herë në muaj, për akuzën e korrupsionit pasiv në dosjen “Partizani”. Ai akuzohet se lejoi shkelje ligjore për dhënien e kompleksit “Partizani” ish-pronarëve, ku përfitues kryesor është dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i pandehur për korrupsion dhe pastrim parash.

Në pronat e ish-klubit u ndërtuan të paktën 19 kulla, me përfitime miliona euro. Të pandehur janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi dhe përfaqësues të kompanisë “Homeplan”.

Procesi gjyqësor është zvarritur prej gjashtë muajsh për shkak të shtyrjeve të vazhdueshme. Seanca e fundit u zhvillua me zëvendësim avokati, ndërsa për përgjigjet e “Homeplan” është caktuar seanca e 23 prillit, ora 13:00, e cila pritet të jetë përfundimtare për kalimin e çështjes në gjykim.