Google në gjyq për akuzat e abuzimit të pozitave dominante në tregun e motorëve të kërkimit


Alphabet, kompania-mëmë e Google, do të përballet me një gjyq historik të hënën, pasi autoritetet amerikane të antitrustit në Washington kërkojnë të detyrojnë gjigantin teknologjik të shesë shfletuesin e tij Chrome, si pjesë e një përpjekjeje për të rivendosur konkurrencën në tregun e motorëve të kërkimit online, përcjell Reuters.

Rezultati i këtij gjyqi mund të ndryshojë thelbësisht internetin, duke nxjerrë Google-n nga pozita e saj si porta kryesore për informacion online. Departamenti i Drejtësisë i SHBA shpreson se kjo do të parandalojë dominimin e Google-s në inteligjencën artificiale.

Avokati i Departamentit të Drejtësisë, David Dahlquist, tha gjatë fjalës së tij hyrëse se zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë ishin të pranishëm në sallën e gjyqit për të treguar se çështja, e nisur nën administratën Trump dhe që vazhdoi nën atë të Biden, ka “mbështetje të plotë nga Departamenti i Drejtësisë, si të kaluar, ashtu edhe të tashme”.

Google ka njoftuar se do të apelojë vendimin përfundimtar të gjyqit.

“Në lidhje me masat kundër monopolizmit, Gjykata e Lartë e SHBA ka thënë se ‘kujdesi është çelësi’. Propozimi i DOJ hedh këtë kujdes në erë,” tha ekzekutivi i Google, Lee-Anne Mulholland, në një postim në blog të dielën.

Përgjigja e Assistant Attorney General Abigail Slater ishte e drejtpërdrejtë: “Dini çfarë është të pamenduar? Lënia e abuzimit të monopolizmit të Google pa u adresuar,” tha ajo jashtë gjykatës në mëngjesin e së hënës.

Gjyqtari i Distriktit të SHBA, Amit Mehta, po mbikëqyr gjyqin që do të zgjasë tre javë.

Departamenti i Drejtësisë i SHBA dhe një koalicion i 38 prokurorëve të shtetit kanë propozuar masa të gjera për të hapur shpejt tregun e kërkimit dhe për t’u dhënë mundësi konkurrentëve të rinj. Propozimet përfshijnë ndërprerjen e marrëveshjeve ekskluzive, ku Google paguan miliarda dollarë çdo vit për ta bërë motorin e saj të kërkimit motorin e parazgjedhur në pajisjet si ato të Apple dhe prodhuesit e tjerë të pajisjeve.

Po ashtu, Google do të detyrohet të licencojë rezultatet e kërkimit për konkurrentët, ndër të tjera. Nëse këto masa nuk sjellin rivendosjen e konkurrencës, Google mund të detyrohet të shesë sistemin operativ Android.

Përfaqësues të Perplexity AI dhe OpenAI pritet të japin dëshminë e tyre për këtë çështje.

Google e sheh propozimin si të ekstreme dhe thotë se gjykata duhet të kufizohet në rregullimin e kushteve të marrëveshjeve të saj ekskluzive. Kompania, e cila ka një vlerë prej 1.9 trilionë dollarë, ka subvencionuar prodhuesit e shfletuesve si Mozilla duke paguar për të mbetur motor kërkimi i parazgjedhur. Ndalimi i këtij mbështetjeje financiare mund të kërcënojë ekzistencën e tyre, thotë Google, ndërsa ndalimi i pagesave për prodhuesit e pajisjeve do të rrisë çmimin e smartfonëve, sipas kompanisë.

Në këtë gjyq pritet të dëshmojnë edhe përfaqësues të Mozilla, Verizon dhe Apple, të cilat tentuan pa sukses të ndërhynin në çështje.

Propozimet janë të një rëndësie të madhe, duke pasur parasysh se ky gjyq vjen pas një fitoreje të DOJ në një çështje tjetër antitrust, ku një gjykatës i Virginia-s vendosi se Google mban një monopol të paligjshëm në teknologjinë e reklamave.