Kina ka paralajmëruar vendet e tjera që të mos i nënshtrohen presionit të Shteteve të Bashkuara gjatë negociatave tregtare lidhur me tarifat e vendosura nga administrata e Presidentit Donald Trump.
Një zëdhënës i Ministrisë kineze të Tregtisë reagoi pas raportimeve se Uashingtoni synon të ushtrojë presion mbi qeveritë e huaja për të kufizuar tregtinë me Kinën, në këmbim të përjashtimeve nga tarifat amerikane të importit.
Administrata Trump ka nisur bisedime me partnerët tregtarë rreth çështjes së tarifave. Javën e kaluar, një delegacion japonez vizitoi Uashingtonin, ndërsa këtë javë pritet të nisin negociatat edhe me Korenë e Jugut.
Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar, Presidenti Trump ka vendosur tarifa të larta mbi importet nga Kina, ndërsa edhe vende të tjera janë prekur nga taksat për mallrat e tyre.
“Presioni nuk sjell paqe dhe kompromisi nuk sjell respekt,” tha zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë.
“Kina beson se të gjitha palët duhet të qëndrojnë në anën e drejtësisë, të mbrojnë rregullat ndërkombëtare ekonomike dhe tregtare, si dhe sistemin shumëpalësh të tregtisë,” shtoi ai.
Deklarata e Pekinit vjen pas raportimeve se SHBA po synon të shfrytëzojë negociatat për tarifat për të bindur dhjetëra vende të vendosin barriera të reja tregtare kundër Kinës.
Japonia ka nisur negociatat me Shtetet e Bashkuara javën e kaluar, kur negociatori i saj kryesor për tarifat, Ryosei Akazawa, u takua me Presidentin amerikan në Uashington DC.
Ndërkohë, Presidenti në detyrë i Koresë së Jugut, Han Duck-soo, ka deklaruar se vendi i tij do të fillojë bisedimet tregtare me SHBA-në më vonë gjatë kësaj jave.
Në të njëjtën kohë, nënpresidenti i SHBA, JD Vance, pritet të takohet me Kryeministrin e Indisë, Narendra Modi, gjatë një vizite në Indi këtë javë. India rrezikon të përballet me një tarifë prej 26% nëse nuk arrin një marrëveshje tregtare me administratën Trump.
Që prej inaugurimit të Presidentit Trump, është shënuar një sërë njoftimesh për tarifa të reja ndaj vendeve të ndryshme.
Presidenti amerikan ka argumentuar se tarifat e importit do të inkurajojnë konsumatorët të blejnë më shumë produkte “Made in USA”, do të rrisin të ardhurat nga taksat dhe do të nxisin investime të mëdha brenda vendit.
Megjithatë, kritikët paralajmërojnë se rikthimi i prodhimit në SHBA është një proces i ndërlikuar që mund të zgjasë me dekada dhe ndërkohë ekonomia mund të përballet me sfida të mëdha.
Presidenti Trump është tërhequr gjithashtu nga disa prej vendimeve të tij të mëparshme. Vetëm disa orë pasi u vendosën tarifat e larta për dhjetëra partnerë tregtarë të SHBA-së në fillim të këtij muaji, ai shpalli një pauzë 90-ditore për këto tarifa për të gjitha vendet përveç Kinës, përballë presionit në rritje nga politikanët dhe tregjet financiare.
Administrata amerikane ka vendosur tarifa deri në 145% për importet nga Kina, ndërsa vendet e tjera aktualisht përballen me një tarifë të përgjithshme prej 10% deri në muajin korrik. Sipas njoftimit të fundit, kur tarifat e reja shtohen mbi ato ekzistuese, në disa raste tatimi për produktet kineze mund të arrijë deri në 245%.
Presidenti Trump ka deklaruar se mbi 70 vende kanë nisur negociatat tregtare që nga shpallja e tarifave./BBC