Vatikani ka njoftuar këtë mëngjes ndarjen nga jeta të Papa Françeskut, i cili u shua në orën 07:35 të së hënës së Pashkëve, më 21 prill 2025, në rezidencën e tij në Casa Santa Marta, në moshën 88-vjeçare.
Lajmi u bë i ditur nga Kardinali Kevin Farrell me deklaratën zyrtare:
“Të dashur vëllezër dhe motra, me dhimbje të thellë më duhet të njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Françesku. E gjithë jeta e tij iu kushtua shërbimit të Zotit dhe Kishës së Tij.”
Farrell e përshkroi Papa Françeskun si një shembull të vërtetë të dishepullit të Krishtit, i cili jetoi dhe predikoi vlerat e Ungjillit me besnikëri, guxim dhe dashuri, sidomos në mbrojtje të më të varfërve dhe më të përjashtuarve.
“Me mirënjohje të thellë për shembullin e tij, ne ia besojmë shpirtin e Papa Françeskut dashurisë së mëshirshme të Zotit Një dhe të Trefishtë,” tha ai.
Papa Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio në Argjentinë, u zgjodh në krye të Kishës Katolike në mars të vitit 2013, pas dorëheqjes historike të Benediktit XVI.
Ai ishte Papa i parë nga Amerika Latine, i pari nga hemisfera jugore dhe njëherazi jezuiti i parë që zinte Fronin e Shën Pjetrit.
Për më shumë se një dekadë, ai udhëhoqi Kishën me vizion reformues, duke ruajtur një popullaritet të gjerë edhe në mesin e tradicionalistëve.