Një vdekje çdo 3 minuta, pse rrugët e Indisë janë ndër më vdekjeprurësit në botë


Çdo mëngjes, gazetat indiane janë të mbushura me lajme për aksidente rrugore autobusë pasagjerësh që përfundojnë në gremina, shoferë të dehur që përplasin këmbësorë, makina që ndeshen me kamionë të ndalur, apo motorrë që rrëzohen nga automjete më të mëdha.

Këto tragjedi të përditshme pasqyrojnë një krizë të thellë dhe të heshtur. Vetëm gjatë vitit 2023, mbi 172,000 persona humbën jetën në rrugët e Indisë, që përkthehet në rreth 474 vdekje çdo ditë – pothuajse një në çdo tre minuta.

Edhe pse raporti zyrtar për aksidentet e vitit ende nuk është publikuar, Ministri i Transportit Rrugor dhe Autostradave, Nitin Gadkari, ka cituar të dhëna paraprake që nxjerrin në pah një situatë alarmante.

 Mes viktimave ishin 10 mijë fëmijë, ndërsa 10 mijë të tjerë humbën jetën në afërsi të shkollave dhe kolegjeve. Po ashtu, 35 mijë këmbësorë dhe një numër i madh drejtuesish të motoçikletave figurojnë në listën e viktimave.

Shpejtësia e tejkaluar është raportuar si shkaku më i zakonshëm i aksidenteve. Mungesa e masave bazë të sigurisë ka rezultuar po ashtu fatale, 54 mijë njerëz vdiqën për shkak të mosvendosjes së helmetës dhe 16 mijë nga mosvendosja e rripit të sigurimit.

Shkaqe të tjera përfshijnë mbingarkesën e mjeteve, që çoi në 12 mijë vdekje, si dhe drejtimin pa patentë të vlefshme, përgjegjëse për 34 mijë aksidente. Vozitja në anën e gabuar është gjithashtu një faktor kyç.

Në vitin 2021, 13% e aksidenteve përfshinin shoferë pa patentë ose me leje mësimore. Ndërkohë, shumë nga automjetet në qarkullim janë të vjetra dhe nuk i përmbushin standardet minimale të sigurisë pa rripa sigurimi dhe shpesh pa airbagë.

India ka rrjetin e dytë më të madh rrugor në botë, me 6.6 milion kilometra, pas Shteteve të Bashkuara. Autostradat kombëtare dhe shtetërore përbëjnë vetëm 5% të këtij rrjeti, ndërsa pjesa tjetër janë rrugë të zakonshme. Janë regjistruar rreth 350 milion automjete në vend.

Megjithatë, ky rrjet përballet me një realitet të rrezikshëm: një trafik i përzier kaotik, ku automjetet motorizuara konkurrojnë për hapësirë me biçikleta, karroca dore, kafshë të tërhequra nga karroca, këmbësorë dhe madje edhe kafshë endacake. Rrugët shpesh mbipopullohen nga shitës ambulantë që pushtojnë trotuaret dhe detyrojnë këmbësorët të ecin në mes të rrugëve.

Ministri Gadkari ka deklaruar se një pjesë e madhe e aksidenteve ndodh për shkak të mungesës së respektit për ligjin. “Shkaku më i madh është sjellja njerëzore”, tha ai. Por ai pranoi se problemet me infrastrukturën janë gjithashtu të rëndësishme duke përfshirë projektimin e dobët të rrugëve, ndërtimet nën standarde dhe sinjalistikën e gabuar.

Auditimet e sigurisë rrugore të kryera nga Instituti Indian i Teknologjisë në Delhi (IIT Delhi) kanë zbuluar të meta të mëdha në barrierat e përplasjes, të cilat jo vetëm që nuk ndihmojnë, por mund të përkeqësojnë situatën.

Në shumë zona, rrugët përfundojnë pa masa mbrojtëse pranë zonave të banuara, ndërsa karrexhatat e ngritura krijojnë rrezik shtesë për motorrët dhe makinat që devijojnë nga rruga.

Ekspertët thonë se ndonëse India aplikon standardet e projektimit të rrugëve perëndimore, ato nuk përshtaten me realitetin indian. Kavi Bhalla nga Universiteti i Çikagos thekson: “Nuk ka prova që zgjerimi i rrugëve sjell më pak aksidente. Në fakt, përmirësimi i rrugëve shpesh sjell shpejtësi më të larta, që janë vdekjeprurëse për këmbësorët, çiklistët dhe motoçiklistët”.

Qeveria po zbaton një strategji të re të quajtur “5E”, inxhinieria e rrugëve, inxhinieria e automjeteve, arsimi, zbatimi i ligjit dhe kujdesi emergjent. Sipas ekspertëve, kujdesi mjekësor në kohë mund të shpëtonte deri në 50% të jetëve të humbura në aksidente.

Ndërkohë, një plan ambicioz është shpallur për përmirësimin e 25,000 km rrugë me dy korsi në rrugë me katër korsi, me qëllimin për të reduktuar aksidentet.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se zhvillimi nuk duhet të vijë në kurriz të jetës së njerëzve – sidomos të atyre më të pambrojtur. “Nëse nuk analizojmë nëse ndërhyrjet funksionojnë, nuk do të shpëtojmë jetë. Vetëm do të ndërtojmë rrugë më të lëmuara, makina më të shpejta – dhe do të humbasim më shumë njerëz”, përfundon z. Bhalla.

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e BBC

Përshtati për Hashtag.al, Aurora Hoxha