Partia anti-establishment “rrëmben” vendin e dytë në sondazhet në Greqi


Që nga zgjedhjet parlamentare greke në maj 2023, gara për vendin e dytë në sondazhet politike në Greqi ka qenë me shumë paqartësi. Vendi i dytë ka ndërruar rotacionin mes të majtës SYRIZA, dikur partia kryesore opozitare; PASOK-ut socialist, që tani për tani e mban atë titull në parlament; dhe, së fundmi, partia anti-establishment Rruga e Lirisë.

Udhëheqësja e Rrugës së Lirisë, Zoe Konstantopoulou, e cila u shkëput nga SYRIZA në vitin 2015 për të formuar partinë e saj një vit më pas, duket se po forcon kontrollin në vendin e dytë. Dhe ajo nuk po i fsheh ambiciet e saj. Me daljet e shpeshta televizive, Konstantopoulou ka filluar të artikulojë në mënyrë aktive vizionin e saj politik, shkruan Kathimerini.

Sipas Giorgos Arapoglou, shef i kompanisë së sondazheve Pulse, Konstantopoulou aktualisht kryeson në katër segmente kyçe të votuesve: të rinjtë e moshës 17-29 vjeç, gratë 17-44 vjeç, individët që përballen me vështirësi financiare dhe votuesit që identifikohen si të majtë ose të qendrës së majtë.

Nëse kjo mbështetje përkthehet në fuqi të vërtetë elektorale, mbetet për t’u parë. Por Arapoglou vëren se Rruga e Lirisë ka arritur të fitojë tërheqje në pothuajse të gjitha nëngrupet – profesionale dhe gjeografike njësoj.

Paqëndrueshmëria e skenës politike të Greqisë që nga zgjedhjet kombëtare të 2023 – dhe aq më tepër që nga zgjedhjet evropiane qershorin e kaluar – ka qenë e paparë që nga kthimi i vendit në demokraci në vitin 1974.

Në Parlament, PASOK-u ka kaluar SYRIZA-n si opozitë zyrtare, si rezultat i një numri partish të shkëputura të formuara nga ish-anëtarë të SYRIZA-s. Në sondazhe, vendi i dytë ka ndryshuar shumë herë: nga SYRIZA nën Alexis Tsipras, në SYRIZA nën Stefanos Kasselakis – që tani që drejton një parti të re, Lëvizja për Demokraci – më pas në PASOK, i sfiduar shkurtimisht si nga Zgjidhja Greke e spektrit djathtë, ashtu edhe nga Partia Komuniste (KKE), dhe më në fund në Konstantou.

Për PASOK-un është një ringjallje jetëshkurtër pas rizgjedhjes së Nikos Androulakis si kreu i saj tetorin e kaluar. Sipas Arapoglou, kjo parti ka luftuar për t’u lidhur me votuesit dhe grate e reja në moshë.

“PASOK-u duket se po paraitet mirë mes votuesve në vështirësi financiare,” tha ai, “por ende nuk është zgjedhja mbizotëruese”.

Rruga e Lirisë, nga ana tjetër, duket se po mbledh mbështetje nga i gjithë spektri politik. Angelos Seriatos, kreu i firmës kërkimore Prorata, e përshkruan atë si një magnet për votuesit e zhgënjyer dhe jokonvencionalë.

Një në tre mbështetës të Rrugës së Lirisë janë ish-votues të SYRIZA-s, ndërsa partia u bën thirrje gjithashtu abstenuesve të kaluar, mbështetësve të KKE-së dhe madje edhe votuesve të pakënaqur nga e djathta greke Zgjidhja dhe partia qeverisëse Demokracia e Re, tha Seriatos.

Një faktor kyç në këtë riorganizim ka qenë kolapsi i SYRIZA-s, që tani ka rreth 6 për qind, dhe trauma e vijueshme e fatkeqësisë hekurudhore në Tempe – në të cilën 57 njerëz vdiqën kur dy trena u përplasën në linjën Athinë-Selanik në 2023.