Pete Hegseth dyshohet se ka ndarë informacione për sulmet në Jemen edhe në një grup të dytë privat në Signal


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ndau informacione të detajuara mbi sulmet ushtarake të planifikuara në Jemen përmes një grupi privat në aplikacionin Signal që kishte krijuar vetë, ku bënin pjesë bashkëshortja, vëllai dhe rreth një duzinë personash të tjerë të afërt, raportoi të dielën New York Times.

The Guardian e ka konfirmuar në mënyrë të pavarur ekzistencën e këtij grupi privat në Signal.

Sipas burimeve anonime që kanë dijeni për përmbajtjen e këtij grupi dhe që folën për New York Times, Hegseth ka shpërndarë në këtë grup personal të njëjtat informacione që kishte ndarë edhe në një grup tjetër Signal me zyrtarë të lartë të administratës Trump, përfshirë oraret e fluturimeve të avionëve F/A-18 Hornet që do godisnin objektiva të rebelëve Houthi në Jemen. Grupi i zyrtarëve ishte krijuar nga këshilltari i sigurisë kombëtare, Mike Waltz.

Ekzistenca e këtij grupi të parë u bë publike muajin e kaluar nga gazetari i The Atlantic, Jeffrey Goldberg, i cili ishte shtuar gabimisht në grupin e zyrtarëve nga vetë Waltz.

Zbulimi i një grupi të dytë privat ku Hegseth ka ndarë plane sulmi, sipas “personave të njohur me çështjen” që folën për Times, pritet të shtojë kritikat në rritje ndaj aftësisë së ish-prezantuesit të Fox News për të menaxhuar Departamentin e Mbrojtjes, një institucion gjigant që operon me çështje jete e vdekjeje në mbarë botën.

Në grupin privat thuhet se bënin pjesë edhe dy këshilltarët e lartë të Hegseth – Dan Caldwell dhe Darin Selnick – të cilët u shkarkuan javën e kaluar pasi u akuzuan për shpërndarje të informacionit të paautorizuar.

Hegseth është kritikuar më parë edhe për përfshirjen e bashkëshortes së tij, Jennifer – një ish-produktore në Fox News – në takime të ndjeshme me liderë të huaj, përfshirë edhe një takim në Pentagon për luftën në Ukrainë me zyrtarët më të lartë të mbrojtjes britanike, ku ajo u fotografua ulur pas burrit të saj.

Vëllai i Hegseth, Phil, është producent podcast-esh dhe është emëruar kohët e fundit si ndërlidhës i Departamentit të Sigurisë Kombëtare në Pentagon. Nuk është e qartë se pse ndonjëri prej tyre do të duhej të dinte për detajet e sulmeve paraprakisht.

Sipas Times, Hegseth ka përdorur telefonin e tij privat – dhe jo një pajisje zyrtare qeveritare – për të hyrë në këtë grup në Signal me familjarët dhe miqtë.

CNN raportoi të dielën më vonë se tre burime të njohura me grupin privat të Hegseth-it konfirmuan për rrjetin televiziv se ai e kishte përdorur atë për të ndarë planet për sulmet në Jemen përpara se ato të ndodhnin.

E njëjta gjë u konfirmua edhe për Associated Press nga një tjetër burim që tha se grupi përmbante 13 persona.

Menjëherë pasi lajmi për grupin e dytë në Signal u bë publik, Politico publikoi një artikull opinioni nga ish-zëdhënësi i shtypit i Hegseth, John Ullyot, i cili fillonte me fjalinë: “Ka qenë një muaj kaosi total në Pentagon. Nga rrjedhja e planeve operacionale sensitive tek shkarkimet masive, kjo mosfunksionim tashmë është një shpërqendrim serioz për presidentin – i cili meriton më mirë nga drejtuesit e tij të lartë.”