Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Florian Sulejmani, u paraqit këtë të hënë në Gjykatën e Beratit, ku u shqyrtua vendimi për pezullimin e tij nga detyra. Kjo masë është kërkuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Berat, që ka nisur hetime ndaj tij për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Sipas hetimeve paraprake, Sulejmani dyshohet se ka shkelur legjislacionin gjatë procedurës së transferimit të disa oficerëve të policisë gjyqësore, duke tejkaluar kompetencat ligjore dhe pa respektuar kriteret e përcaktuara për lëvizje brenda sistemit. Kjo ka sjellë dyshime për vendimmarrje të pabazuar dhe në shkelje të standardeve të mbikëqyrjes institucionale.
Gjykata është thirrur për të verifikuar ligjshmërinë e vendimit të pezullimit, ndërsa Prokuroria ka kërkuar zbatimin e kësaj mase si mjet për të garantuar mbarëvajtjen e hetimit dhe shmangien e ndikimeve të mundshme në proces. Përfundimi i seancës pritet të japë më shumë qartësi mbi ecurinë e çështjes dhe rolin e Sulejmanit në vendimmarrjet e kontestuara.
VENDIMI I GJYKATËS BERAT
Bazuar në nenet 228, 229, 242, 248 të Kodit të Procedurës Penale dhe neni 248 i Kodit Penal,
VENDOSI:
- Vazhdimin e masës së sigurimit personal ndalues të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim Florian Sulejmani, i datëlindjes 20.12.1977, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
- Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat dhe Policia Gjyqësore Berat të zbatojë këtë vendim.
- Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
- Kundër këtij vendimi (i cili sipas nenit 248 i KPP do të depozitohet i arsyetuar brenda 48 orëve) lejohet të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, afat ky që fillon nga e nesërmja e ditës së njoftimit të këtij vendimi.
- Shpalljen e moskompetencës tokësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, në lidhje me çështjen penale me Nr. 179 Regj. Them, Dt.Regj.Them 17.04.2025.
- Dërgimin e akteve Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë si gjykatë kompetente tokësore për gjykimin e kësaj çështjeje.
U shpall në Berat, datë 21.04.2025!