“Rama shpirtlig, ndau vetëm 16 milionë euro për pensionistët” – Berisha nga Puka


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi këtë të diel një takim elektoral në qytetin e Pukës, ku prezantoi kandidatët e koalicionit opozitar për zgjedhjet vendore të 11 majit. Takimi nisi me një minutë heshtje në nder të ndarjes nga jeta të Papa Françeskut, duke i dhënë ngjarjes një ton solemn dhe reflektues.

“Humbëm një kolos të mendimit dhe të besimit. Një njeri që i dha dashuri, shpresë dhe dinjitet çdo qenie njerëzore, përfshirë shqiptarët. Figura e Papa Françeskut do të mbetet përgjithmonë në zemrat tona,” u shpreh Berisha në hapje të fjalës së tij.

Në vijim, ai akuzoi ashpër qeverinë Rama për braktisjen e pensionistëve dhe për politikën që, sipas tij, po e boshatis vendin nga të rinjtë.

“Kjo tokë klith se po mbetet shkretëtirë nga largimi i shqiptarëve. Shkretëtirë po bëhet Puka, Tropoja, Kukësi, Dibra, Mallakastra dhe gjithë Shqipëria. E dini pse? Sepse kjo qeveri nuk ka shpirt për njerëzit e vet,” deklaroi Berisha.

Ai theksoi veçanërisht ndarjen e vetëm 16 milionë eurove nga buxheti për pensionistët, duke e quajtur këtë vendim “të pashpirt dhe fyes”.

“Edi Rama ndau vetëm 16 milionë euro për pensionistët shqiptarë. Ky është një akt shpirtlig, një turp. Ky është një qeveritar që u kthen kurrizin më të varfërve të këtij vendi, atyre që kanë ndërtuar Shqipërinë,” u shpreh Berisha.

Në takim u prezantuan edhe kandidatët për Pukën dhe Fushë-Arrëzin, të cilët Berisha i cilësoi si figura të ndershme dhe të përkushtuara ndaj qytetarëve.

“Do të ktheni dinjitetin, lirinë dhe shpresën. Do të jeni ju që do të çoni përpara ndryshimin. Këta kandidatë nuk janë të partisë, janë të popullit,” tha Berisha.