Kandidatja për deputete në listën e hapur të Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, zhvilloi një takim me fermerët në një zonë rurale pranë Tiranës, ku solli në vëmendje gjendjen e rënduar të bujqësisë dhe braktisjen në rritje të fshatit shqiptar.
Gjatë bashkëbisedimit me fermerët, Tabaku theksoi se Shqipëria po dështon me një nga pasuritë më të mëdha që ka: tokën dhe njerëzit e punës. Ajo shprehu shqetësimin për mungesën e brezit të ri në zonat rurale dhe për faktin që shumë toka po mbeten djerrë.
“Po dështojmë me bujqësinë, po dështojmë me fermerin,” u shpreh ajo, duke nënvizuar nevojën për një qasje të re dhe më të ndjeshme ndaj fshatit.
Fermerët ndanë vështirësitë e përditshme me të cilat përballen, duke përmendur mungesën e krahut të punës, taksat e larta, konkurrencën e padrejtë me produktet e importuara, çmimin e lartë të naftës dhe energjisë elektrike. Sipas tyre, TVSH-ja e barabartë me atë të importuesve është një tjetër padrejtësi që i dëmton prodhuesit vendas.
Përballë këtyre shqetësimeve, Tabaku u zotua për një plan konkret për zhvillimin e fshatit dhe mbështetjen e fermerëve. Ajo premtoi uljen e TVSH-së për bujqësinë në nivelin 6 për qind, dhënien e subvencioneve direkte për fermerët, si dhe përdorim të plotë dhe transparent të fondeve IPARD, të cilat aktualisht mungojnë për shkak të korrupsionit.
Një pjesë tjetër e rëndësishme e planit të saj është lidhja e bujqësisë me turizmin, si një mënyrë për të sjellë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në zonat rurale dhe për të rikthyer interesin e të rinjve për të jetuar dhe punuar në fshat.
Tabaku foli edhe për një plan konkret për shqiptarët e diasporës që dëshirojnë të kthehen dhe të investojnë në fshat. Sipas saj, për këta qytetarë do të ofrohen pesë vite pa taksa, si një nxitje për rikthimin dhe përfshirjen në zhvillimin e zonave të braktisura.
“Fshati ka nevojë për gjëra të vogla, por duhet ta duash që t’i bësh. Ne e kemi këtë dashuri dhe e kemi këtë vizion,” u shpreh Tabaku në përfundim të takimit, duke theksuar se ndryshimi është i mundur kur ka vullnet dhe përkushtim të sinqertë.