Kreu i PD-së prezantoi programin para qytetarëve të Kukësit, Hasit e Tropojës.
Berisha tha se qeveria e tij do ndihmojë në disa fusha ku theksoi pemëtarinë, blegtorinë e prodhimin vendas.
Më tej ai premtoi furnizim me ujë si dhe përmirësimin e infastrukturës në gjithë qarkun e Kukësit.
“Miqtë e mi, Kukësi, Hasi dhe Tropoja janë treva të rezervave minerale ndër më të mëdhatë, të mineraleve të shumëllojta më të çmuara dhe u siguroj se ato do shndërrohen në mirësi për banorët e këtyre trevave. Në këtë qark do të nxisim para së gjithash pemëtarinë. Projekti ynë me arrorë do të shumëfishohet, por çdo fermer duhet ta ketë të qartë se ne do subvencionojmë çdo fidan të mbjellë, çdo njësi prodhimi, çdo kokë bagëti. Nuk ka më kushte se duhet të jenë 10 lopë apo 5 lopë. Edhe një në qoftë, do subvencionohet. Shqipëria Madhështore pra është Made in Albania. U garantoj se furnizimi me ujë do të jetë një përparësi absolute e jona, sikundër infrastruktura në të gjithë qarkun e Kukësit, nga Kalaja e Dodës gjer në kufi me Dukagjinin.” – tha Berisha.
Më tej kreu i pozitës tha se çmimi i energjisë elektrike do ulet, për biznesin në 6 lekë për kË dhe për qytetarët në 7 kË. Berisha premtoi gjithashtu falje të gjobave dhe kamatave.
“Energjia elektrike do ulet për biznesin ne 6 lekë, për konsumatorin në 7 lekë. Do falen të gjitha gjobat, kamatat dhe çdo gjë tjetër. Miqtë e mi, ky është programi i Shqipërisë Madhështore. U siguroj se dy apo tre herë më shumë se ç’prodhojmë digat, do prodhojmë me çati energjinë elektrike, kur të vendosim në të gjitha çatitë e shqiptarëve panelet fotovoltaike, të cilat pas tre vitesh do prodhojnë energji falas për familjarët. Ndaj miqtë e mi, këto tre javë që na ndajnë nga dita e madhe, ta njohim veten tonë, ta shpallim veten tonë misionarë. Të trokasim në çdo derë, të takojmë çdo mik, të telefonojmë çdo të njohur, të bëjmë gjithçka për t’i paraqitur këtë projekt, i cili është një mundësi për çdo shqiptar. Një mundësi reale për pensionistët për një jetë më të mirë. Një mundësi reale për të rinjtë për shkollim, punësim, strehim, për të ndërtuar ëndrrën e tyre në Shqipëri.” – theksoi Berisha.