Kandidati i PD-së për deputet në Shkodër, Ted Kopliku, tha mbrëmjen e sotme se zgjedhjet e 11 majit janë tejet të rëndësishme për vendin, që duhet të ndryshojë pasi ndodhet në gjendje katastrofale.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarin Adi Krasta në “A Show”, Kopliku theksoi se pavaraësisht faktit se në zgjedhjet e fundit bashkia u mor në mënyrë të dyshimtë, qytetarët e Shkodrës kanë vijuar të rezistojnë dhe kanë mbështetur opozitën, pavarësisht presioneve dhe kërcënimeve për largim nga puna.
“Shkodra nuk e pranon shtypjen. Vërtet që në zgjedhjet e fundit parlamentare, u duk sikur Shkodra u nënshtrua, bashkia u mor nga Partia Socialiste, gjë që nuk kishte ndodhur më përpara, sigurisht që opozita ka denoncuar që ajo është vjedhur dhe nuk është marrë me votë dhe po e shohim çdo ditë e më tepër. Por, Shkodra reziston sepse ka qëndruar përballë këtij regjimi duke sjellë ekipin më të mirë. Si do të rezistojnë? Duhet parë rezultati që do të jetë nesër në zgjedhje. Unë shoh që në çdo takim mbushen sallat, pavarësisht presionit që bëhen në administratat e shtetit, heqjet që bëhen nga puna, por megjithatë Shkodra ka rezistuar. Berisha i vitit 1992, Berisha i vitit 2005 dhe Berisha i vitit 2025, janë tre kontekse krejtësisht të ndryshme. Ndërkohë nuk ka diskutim për Ramën 1,2,3 dhe Rama pretendent për 4. Grupimi ku unë kam marrë pjesë ka treguar më së miri suksesin e tij.” – tha Kopliku.