Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me qytetarët e Korçës, ka lëshuar akuza ndaj qeverisë për abuzime me fondet publike, ndërsa ka theksuar rëndësinë e familjes dhe vlerave tradicionale në shoqëri.
Nga qyteti juglindor, Berisha denoncoi rritjen e kostove në ndërtimin e rrugëve si pjesë e një skeme sistematike korrupsioni.
“Ja ku është rruga Korçë-Ersekë. 18 kilometra të para janë ndërtuar me 800 mijë euro për kilometër. 17 kilometra të tjera janë ndërtuar me 5 milionë euro për kilometër. Vidh e vidh, nuk kanë të ndalur,” u shpreh ai.
Ai përmendi gjithashtu projektin e djegësit të Tiranës dhe rrugën Qafë Plloçë–Qukës, duke theksuar mungesën e transparencës dhe zvarritjen prej më shumë se 15 vitesh.
Berisha nuk la jashtë vëmendjes as politikat sociale dhe ekonomike, duke bërë premtime konkrete për biznesin dhe taksat.
“Tatimi do të zbresë në 10%, TVSH do të shkojë në 15%. Barra fiskale do të përgjysmohet. Do t’u kthejmë shqiptarëve ato që u janë vjedhur,” deklaroi ai.
Në të njëjtin aktivitet, Berisha theksoi edhe vlerat konservatore, duke i përkufizuar si të lidhura fort me strukturën familjare.
“Mos harroni kurrë se të jesh konservator do të thotë të jesh tradicional. Familja është themeli i arritjeve tona,” tha ai para mbështetësve.