Ceremonia mortore e Papa Françeskut do të mbahet të shtunën


Trupi i Papa Françeskut është vendosur në një arkivol të hapur gjatë ritit të shpalljes së vdekjes në rezidencën Santa Marta në Vatikan, më 22 prill – konfirmon Selia e Shenjtë.

Ceremonia e varrimit të Papa Françeskut do të mbahet të shtunën në orën 10:00 me orën lokale, ka bërë të ditur Vatikani.

Njëkohësisht janë publikuar pamje të Papës në arkivol të hapur, ku ai shfaqet i veshur me mantelin e kuq të liturgjisë dhe mitrën papnore në kokë, ndërsa në duar mban një rruzare.

Të mërkurën në mëngjes, trupi i Papës do të zhvendoset në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku arkivoli do të qëndrojë për homazhet publike deri në momentin e varrimit. Në Vatikan ka nisur tashmë një fluks i qëndrueshëm vizitorësh që po i drejtohen kishës ku Papa pritet të prehet, sipas BBC-së.

Vdekja e Papës ka shkaktuar një valë dhimbjeje mes katolikëve në mbarë botën.

Nga Sudani i Jugut në Argjentinë, nga Polonia në Filipine, besimtarët kanë shprehur ngushëllimet dhe respektin e tyre për kreun e Kishës Katolike.

Ndërkohë, vëmendja është zhvendosur edhe tek e ardhmja e Vatikanit. Pyetja që po shtrohet tashmë është: si do të zgjidhet Papa i ri?

Procesi i konklavit që do të përcaktojë udhëheqësin e ardhshëm të Kishës Katolike pritet të nisë së shpejti.