Rama tha sot se vetëm PS-ja dhe ai mund t’i mbyllë negociatat për anëtarësimin e vendit në BE.
Gjatë një takimi në Gjirokastër, kreu i qeverisë tha se dritarja për çeljen e negociatave është shumë e shkurtër e kësisoj duhet shfrytëzuar.
“A doni t’i mbyllim negociatat? Po! Negociatat me BE i mbyllim vetëm unë me PS-në, nuk ka tjetër. Se po prite 6 muaj, dera mbyllet dhe s’ka më negociata e anëtarësim, dera e BE mbyllet. Jo se ata i mori malli për ne, por sot kanë nevojë ata për ne dhe kanë hapur derën. Kurse ne ta shfrytëzojmë dhe të mos lejojmë të mbyllet ajo derë, një herë ndodh, ndryshe mbyllet, është koha e duhur, janë përputhur yjet e fatit.” – tha kryeministri.
Kreu i qeverisë shpotiti kreun e opozitës Berisha, të cilin e quajti sërish “buf që i fiken llambat tre herë në ditë”.
“Imagjinoni t’u çosh atyre atje bufin për negociata? E mendoni dot, ça do u thotë ai atje, bufit që i fiket tre herë në ditë llamba. Ndaj ne populli shqiptar përtej dallimeve partiake, nuk ka më kohë për ne të qëndrojmë jashtë BE-së. Kjo është koha e duhur, nuk ka më kohë, ndaj ju lutem të gjithëve, besoj shumë të forca juaj, të gjitha me shoqe, fqinje, kushërinj e miq, të votoni më 11 maj për Shqipërinë në BE. Nuk kam asgjë me burrat, as me ata që janë çyrykë, por nëse Shqipëria ishte e prapambetur ishte se kishte grua të paralizuar, forca e gruas ishte e paralizuar, nuk qëndron dot një vend me një këmbë. Sa më shumë vendimmarrje i japim gruas, aq më shumë ecim përpara, unë jam shumë i bindur për këtë, edhe pse është opinion. Por duke iu referuar edhe Margareth Thaçer e ka thënë, muhabeti bëhet me burra dhe punët zgjidhen me gratë. Edhe Papa Francesku, rahmet pastë, e tha se me gratë punët bëhen më mirë.” – shtoi Rama.