Presidenti Donald Trump dhe politika e tij e paparashikueshme mbi tarifat tregtare, së bashku me kundërpërgjigjet nga partnerët tregtarë të SHBA-së, do të shkaktojnë një goditje të rëndë për ekonominë globale, me Shtetet e Bashkuara të goditura veçanërisht rëndë, paralajmëron Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Në parashikimin më të fundit të publikuar në kuadër të World Economic Outlook, FMN thotë se rritja ekonomike globale pritet të bjerë në 2.8% këtë vit, nga 3.3% vitin e kaluar, shumë poshtë mesatares historike.
Ngadalësimi në SHBA pritet të jetë edhe më i theksuar: ekonomia amerikane pritet të rritet me vetëm 1.8%, krahasuar me 2.8% në vitin 2024.
Të dyja këto parashikime janë dukshëm më pesimiste se ato të janarit, përpara se një valë e re tarifash e shpallur nga presidenti amerikan të rriste nivelin mesatar të tarifave të importit në SHBA në pikën më të lartë në një shekull.
“Përshkallëzimi i shpejtë i tensioneve tregtare dhe niveli jashtëzakonisht i lartë i pasigurisë së politikave pritet të kenë ndikim të rëndësishëm mbi aktivitetin ekonomik global,” thuhet në deklaratën e FMN-së me qendër në Uashington, sipas CNN.
Institucioni shton se rreziqet për ekonominë globale mbeten “qartësisht të anuara nga ana negative.”
Sipas këshilltarit ekonomik të FMN-së, Pierre-Olivier Gourinchas, tarifat e shpallura nga Trump përbëjnë gati gjysmën e rënies së fortë në parashikimin e rritjes për SHBA-në.
Ai shkruan në një postim në blog se pasiguria politike ka dëmtuar kërkesën e brendshme në SHBA edhe përpara shpalljes së tarifave të fundit.
FMN thekson se parashikimi i fundit ekonomik është hartuar në rrethana “të jashtëzakonshme”, duke zbuluar se shpallja e tarifave më 2 prill nga Trump i detyroi ata të “hedhin poshtë parashikimet e mëparshme që ishin pothuajse përfunduar në atë moment.”
Duke theksuar rëndësinë e tregtisë në zhvillimin ekonomik, raporti shton se përshkallëzimi i tensioneve tregtare dhe pasiguria për drejtimin që do të marrin politikat tregtare mund të ulin edhe më shumë rritjen ekonomike.
Në të kundërt, “zbutja e tarifave aktuale dhe marrëveshjet e reja që ofrojnë qartësi dhe stabilitet në politikat tregtare” mund të përmirësojnë perspektivën ekonomike.