Policia ka arrestuar në Tiranë Mir Ndoj, 36 vjeç nga Lezha, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit antidrogë “Vakumi”.
Ndoj dyshohet se, në bashkëpunim me një tjetër person të arrestuar pesë ditë më parë, transportonte 34 kg kanabis në fshatin Balldre, Lezhë. Gjatë ndërhyrjes së parë të policisë, ai kishte arritur të largohej duke përfituar nga errësira dhe njohja e terrenit.
Policia njoftoi se të dy personat janë pjesë e një grupi kriminal që kultivonte dhe trafikonte drogë në zonën e Lezhës.
Njoftimi i policisë:
Lezhë/Vijon operacioni policor i koduar “Vakumi”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
5 ditë më parë, në fshatin Balldre, transportonte rreth 34 kg kanabis, në bashkëpunim me një shtetas tjetër (i arrestuar), kapet në Tiranë dhe vihet në pranga 36-vjeçari.
Këta 2 shtetas, pjesëtarë të një grupi kriminal që kultivonte, prodhonte dhe shiste kanabis, në Lezhë.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Vakumi”, kanë bashkëpunuar me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, për lokalizimin dhe kapjen e tij. Si rezultat, u kap në Tiranë ndërkohë që udhëtonte me taksi dhe u vu në pranga shtetasi:
Mir Ndoj, 36 vjeç, banues në Lezhë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se 5 ditë më parë, në rrugën e fshatit Balldre, në bashkëpunim me shtetasin D. N. (i cili u arrestua në flagrancë), po transportonte rreth 34 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, por gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, duke përfituar nga errësira dhe nga njohja e terrenit, ka mundur të largohet.
Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim në vijim të këtij operacioni.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.