Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, gjatë konferencës së tij të rregullt për mediat, ka deklaruar se Rusia është e gatshme të shqyrtojë një propozim të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës civile nga të dyja palët, përfshirë objektet energjetike.
Megjithatë, sipas Peskov, aktualisht nuk ka plane konkrete për zhvillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta mes Kievit dhe Moskës, ndonëse presidenti rus Vladimir Putin u shpreh një ditë më parë se është i hapur për një mundësi të tillë.
Zelenskyy, të hënën, theksoi se Ukraina është e gatshme për çdo formë diskutimi që do të çonte në ndaljen e sulmeve ndaj infrastrukturës civile, si uji, transporti, energjia elektrike dhe sistemet e komunikimit, përcjell The Guardian.
“Ukraina mban propozimin e saj për të mos goditur të paktën objektiva civile. Dhe po presim një përgjigje të qartë nga Moska,” deklaroi ai. “Ne jemi gati për çdo bisedë se si të arrihet kjo.”
Duke folur për gazetarët të martën, Peskov është cituar nga agjencia e lajmeve Reuters të ketë thënë:
“Presidenti e shpjegoi kompleksitetin e kësaj teme pikërisht dje, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Pra, nëse flasim për objektet e infrastrukturës civile, duhet të dallojmë qartë në cilat situata ato mund të konsiderohen objektiva ushtarake dhe në cilat jo.”
Peskov përsëriti një koment të Putinit se një objekt civil mund të kthehet në objektiv ushtarak nëse aty zhvillohen aktivitete nga forcat armike.
“Prandaj ka nuanca që ia vlen të diskutohen,” shtoi ai.