Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra ndaj brohoritjeve të mbështetësve të tij gjatë një takimi në Memaliaj, ku ata nisën të thërrisnin “O Tërmet, o hero, Tepelena ty të do”, në mbështetje të kryebashkiakut Termet Peçi. Rama e cilësoi këtë si një kopje të sloganeve të Partisë Demokratike dhe një formë mitingu të “kohërave të kënetës”.
“Mos e përdorni më atë frazë. Nuk është e jona. Është një paçavure mitingjesh e atyre që sot janë në kënetë,” u shpreh Rama, duke e cilësuar si të pavend një formë adhurimi të tillë për figura politike brenda PS-së.
Ai theksoi se në Partinë Socialiste nuk ka heronj, por njerëz të barabartë që punojnë së bashku.
“Unë nuk jam heroi juaj. Jam kali që keni zgjedhur të tërheq karrocën,” shtoi ai, duke theksuar barazinë mes drejtuesve dhe mbështetësve në forcën politike që ai drejton.
Kreu i qeverisë bëri përgjegjës edhe Termet Peçin për lejimin e këtyre brohoritjeve, duke theksuar se “këtu respektohet e drejta e autorit, e atë autor nuk e duam fare”.