Kryeministri Edi Rama ka shprehur sërish mbështetjen e tij për kreun e SPAK, Altin Dumani, duke e cilësuar si një figurë me integritet dhe guxim. Gjatë një deklarate publike, Rama theksoi se suksesi i strukturave të reja të drejtësisë është rezultat i reformave të ndërmarra nga Partia Socialiste.
“Altin Dumani është një njeri kurajoz që meriton gjithë respektin. Por ai nuk erdhi nga hëna në këto 3-4 vite. Ka qenë prokuror prej shumë vitesh, dhe për një kohë të gjatë, askush nuk e njihte,” u shpreh Rama, duke ngritur pyetjen pse një prokuror i ndershëm nuk kishte thirrur më herët persona me pushtet politik.
Sipas tij, përgjigjja qëndron te transformimi që ka pësuar vendi.
“Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht. Sot Altini mund të thërrasë kë të dojë. Dhe kjo, sepse ishte Partia Socialiste ajo që i dha drejtësisë ‘shpatën’. Shpata ka qenë aty në zyrë, por isha unë që ia dorëzova,” deklaroi Rama.