Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndjesë publike pas deklaratës së bërë në një takim elektoral, ku përdori shprehjen “autizëm politik” për të komentuar votën kundër Partisë Socialiste. Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, Rama e cilësoi shprehjen si të papërshtatshme dhe theksoi se përdorimi i saj ka qenë pa qëllim.
Në të njëjtën deklaratë, kryeministri njoftoi se mbështetja e qeverisë për fëmijët me aftësi të veçanta do të dyfishohet dhe do të përfshihet në projektbuxhetin e vitit 2026.
“Nuk mund të mos e ndaja dot këtë reflektim. Të gabosh është njerëzore ndërsa të mos kërkosh ndjesë nuk është burrërore. Krejt pa dashje sot kam cënuar fëmijët autikë dhe kam lënduar prindërit e tyre duke folur për autizëm politik dhe më doli sot krejt padashje, por ja, u desh të gaboja dhe pastaj të mësoja, prej vitesh është e papërshtatshme dhe në fakt me plot të drejtë.
Ju kërkojë ndjesë dhe kam jo vetëm respekt, por edhe admirim për ta dhe për prindërit e fëmijëve me aftësi të veçanta që më ka shtyrë që të nxis dyfishimin e mbështetjes së tyre nga qeveria. Që e kam thënë në më shumë se një rast do jetë pjesë e projektbuxhetit të 2026, ndërsa lehaqenieve që u kapën pas fëmijëve autikë si i mbyturi pas fijes së barit, ky do të jetë një motiv më shumë që ta shpenzojë çdo energji timen, që t’i japim mësimin e merituar për të gjitha prapësitë e tyre të pamerituara në kurriz të këtij populli dhe këtij vendi”, tha ai.