Shehi: Qytetarët të votojnë partitë e reja nëse duan ndryshim, Rama e Berisha janë një grup


Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi, pjesë e koalicionit Djathtas për Zhvillim, tha se synojnë të marrin deputetë në zgjedhjet e 11 majit, ku kanë kandidatë me integritet në gjithë vendin.

Ai tha se parlamenti ka kaluar nga ai i doktorëve në fillimet e tij në atë të zullumqarëve. Shehi tha gjithashtu se është përpjekur të bashkojë partitë e vogla ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të votojnë partitë e vogla nëse duan ndryshim dhe për t’u hequr monopolin PS-së e PD-së.

“Ne garojmë thuajse në të gjitha qytetet e mëdha. Ne nuk jemi të zhurmshmit e fushatës, nuk biem në sy, por kemi mbështetësit tanë. Në çdo qark kemi kandidatë që kanë qenë deputetë me integritet. Ne nuk i trembemi partive të mëdha e jo më të vogla. Natyrisht, nuk kemi struktura të forta dhe as lekë. Këto na mungojnë, por nuk dorëzohemi. Në ‘92 ishte parlamenti i doktorëve, kurse tani është ai zullumqarëve, por mund të bëhet edhe më keq. Politika merrte nga të gjitha fushat, ndërsa sot nuk i njeh kush, mjafton të shërbejë. Jam munduar të bashkojë forcat me partitë e tjera simotra, por egoja nuk i la. Ne kemi princip, me listat e hapura. Kishim disa të përbashkëta, por një pjesë donin lista të mbyllura. Ne u bashkuam dy grupe, të tjerët panë interesat e veta. Ndoshta duke menduar se ne jemi të rinj e na pengojnë këta të vjetrit.” – tha Shehi.

Deputeti i LZHK-së tha se e keqja e madhe e vendit është qeverisja por akuzoi Berishën për bashkëpunim me kryeministrin Rama.

“Qeverisja është e keqja kryesore. Kjo që bëjmë ne nuk prodhon vota, nuk është populiste, por unë s’e bëj dot, nuk dal dot nga vetja. Nuk gënjej dot se jam nëpunës i vjetër. Premtoj ato që mund të bëhen. Shumë pak jemi që e kemi nisur djathtas dhe kemi ecur djathtas. Ne po bëjmë këtë luftë, është malore por ia vlen. Ose ik dorëzohu te dy grupet e mëdha, që në fakt janë një. Kjo është një histori e vjetër, kush nuk është me Berishën, është me Ramën. Një e treta e listës së Berishës e ka bërë një xhiro nga e majta. Ligji Zgjedhor, Amnistia, sulmi ndaj SPAK-ut kanë qenë Berisha e Ramë në konkordancë me njëri-tjetrin.”­ – shtoi Shehi.