Trump sulmon kreun e Rezervës Federale, aksionet amerikane dhe dollari pësojnë rënie


Përplasja në rritje mes Presidentit Donald Trump dhe kreut të Rezervës Federale, Jerome Powell, po shkakton pasiguri të mëdha në tregjet financiare. Trump, i cili e emëroi Powell-in gjatë mandatit të tij të parë, ka intensifikuar kritikat ndaj tij duke e quajtur publikisht “një humbës i madh” për mosuljen e normave të interesit.

Kjo përplasje ka shtuar paqëndrueshmërinë në tregjet globale. Indeksi S&P 500, që përfshin 500 nga kompanitë më të mëdha amerikane, ra me 2.4% të hënën, duke zbritur në një humbje totale prej rreth 12% që nga fillimi i vitit. Indeksi Dow Jones Industrial ra me 2.5%, ndërsa Nasdaq pësoi një rënie prej më shumë se 2.5%, duke shënuar një rënie totale prej 18% që nga janari.

Edhe pse tradicionalisht dollari dhe obligacionet e qeverisë amerikane konsiderohen si investime të sigurta gjatë krizave financiare, ato nuk kanë qenë të paprekura nga tronditjet. Indeksi i dollarit ra në nivelin më të ulët që nga viti 2022, ndërsa normat e interesit për borxhin shtetëror u rritën, pasi investitorët kërkuan kthime më të larta për të mbajtur titujt e thesarit amerikan.

Ndikimi është ndjerë edhe në tregjet aziatike. Indeksi Nikkei 225 në Japoni dhe ASX 200 në Sydney ranë me rreth 0.1%, ndërsa Hang Seng në Hong Kong shënoi një rritje të lehtë prej 0.2%.

Në të njëjtën kohë, investitorët janë kthyer drejt arit si një aset i sigurt, duke e çuar çmimin e tij në një rekord historik. Ari arriti nivelin 3,400 dollarë për ons për herë të parë të hënën, duke reflektuar frikën në rritje për një ngadalësim ekonomik global.

Kritikat e Trump ndaj Powell nuk janë të reja. Që në mandatin e tij të parë, ai ka kundërshtuar vendimet e bankës qendrore dhe madje ka diskutuar publikisht mundësinë e shkarkimit të kreut të Fed. Kohët e fundit, ai ka shtuar presionin ndaj Powell-it, duke i kërkuar vazhdimisht të ulë kostot e huamarrjes për të nxitur ekonominë. Javën e kaluar, Trump postoi në rrjetet sociale: “Përfundimi i Powell nuk mund të vijë mjaft shpejt.”

Ky tension vjen në një kohë kur Powell ka paralajmëruar se tarifat e vendosura nga administrata Trump mund të çojnë në rritje çmimesh dhe ngadalësim të aktivitetit ekonomik. Ndërkohë, një nga këshilltarët kryesorë ekonomikë të Trump konfirmoi se po shqyrtohet seriozisht mundësia e shkarkimit të Powell, një hap që do të ishte jo vetëm i pazakontë, por edhe ligjërisht i diskutueshëm, për shkak të pavarësisë tradicionale të bankës qendrore amerikane./BBC