Arrestohet 23-vjeçari në Tiranë, dyshohet se do të shiste armën e zjarrit


Një 23-vjeçar është arrestuar në Tiranë pasi dyshohet se po përpiqej të shiste një armë zjarri. Sipas policisë, operacioni “Gracka” ka finalizuar arrestimin e shtetasit A. D., banues në kryeqytet, i cili u kap në flagrancë në zonën e Don Boskos, në rrugën “Demir Progni”.

Gjatë kontrollit të befasishëm, u sekuestrua një pistoletë me municion luftarak, të cilën i riu dyshohet se e kishte me qëllim shitjen.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i kontrolleve të befasishme, të kryera në vijim të punës policore për garantimin e rendit dhe për goditjen e paligjshmërive, Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizoi operacionin “Gracka”.

Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë, në rrugën “Demir Progni”, shtetasi A. D., 23 vjeç, banues në Tiranë.

Nga kontrollet u konstatua se ky shtetas kishte me vete 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilën dyshohet se do ta shiste.

Vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.