Bardhi në Fier: Balluku sjell shokët e korrupsionit për t’i shpëtuar nga burgu


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka zhvilluar një sërë akuzash të forta ndaj ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, dhe bashkëpunëtorëve të saj, në kuadër të fushatës elektorale në Fier. Ai e ka cilësuar Ballukun si përfaqësuese të “talebanëve të korrupsionit”, ndërsa ka hedhur akuza konkrete për abuzime, gjoba ndaj biznesit dhe përdorim të pushtetit për të shpëtuar bashkëpunëtorët nga drejtësia.

Bardhi ka akuzuar ministren për sjelljen në Fier të disa “miqve të saj të korruptuar”, të cilët, sipas tij, janë nën hetim nga SPAK dhe tentojnë t’i shpëtojnë ndëshkimit përmes përfshirjes në garën elektorale.

“Belinda ka sjellë në Fier shokët e saj të korruptuar, jo për të ndihmuar qytetin, por për t’i shpëtuar nga burgu. Këta nuk janë evropianë, janë talebanë të mashtrimit dhe të korrupsionit,” u shpreh Bardhi në një nga daljet e tij publike.

Ai ka përmendur rastin e ish-drejtorit të Tatimeve dhe zëvendës ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës Ceno Klosi, të cilin e akuzon për vendosje gjobash ndaj bizneseve të ndershme gjatë kohës që ishte në detyrë. Sipas Bardhit, ky është një shembull tipik i mënyrës se si Partia Socialiste ka trajtuar pushtetin vendor: jo për të shërbyer qytetarëve, por për të ushtruar presion dhe përfitim personal.

Në një tjetër deklaratë, Bardhi ironizoi edhe një vartës të Ballukut, duke e akuzuar për paaftësi dhe keqmenaxhim të infrastrukturës rrugore.

“Ndrysho mallin dhe ule dozën! S’kanë faj shtyllat, që i kap përqafe me makinë një herë në dy ditë,” tha ai me tone sarkastike.

Në përfundim, Bardhi u shpreh se qytetarët e Fierit meritojnë një alternativë të ndershme, dhe jo “ofertën e rreme” që përfaqësohet, sipas tij, nga kandidatura dhe mbështetësit e ministres Balluku.