Berisha: Administrata detyrohet të marrë pjesë në fushatë, kërcënohen me largim nga puna


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një bashkëbisedim online me qytetarët, ku ka komentuar zhvillimet politike dhe fushatën elektorale të Partisë Socialiste.

Berisha u ndal fillimisht te mënyra e organizimit të fushatës nga mazhoranca, duke akuzuar qeverinë për presion mbi administratën publike:

“Fushatë e detyruar me punonjës që merren me detyrim në takimet me Ramën, ndryshe pushohen nga puna. Kanë një fushatë pa frut, pa asnjë lloj llogaridhënie për atë që është bërë në 12 vite. Pa asnjë premtim, pasi premtimet 12-vjeçare janë provuar të jenë gënjeshtra,” tha Berisha.

Ai shtoi se kryeministri Edi Rama ka shmangur çdo përballje publike dhe i është drejtuar qytetarëve me “banalitete dhe aspekte të stilit të ‘Big Brother’ për të mashtruar shqiptarët dhe për të mbuluar vjedhjet.”

Berisha e ftoi sërish kryeministrin Rama në debat publik, duke deklaruar:

“Rama refuzon në mënyrë të prerë debatin me mua. E ftoj sërish – jo se kam ndonjë dëshirë të madhe ta takoj – por e bëj në emër të transparencës. Ka bllokuar të gjithë kandidatët e tij që nuk lejohen të dalin në debat me kandidatët tanë.”

Duke iu referuar zgjedhjeve të 11 majit, Berisha tha se kjo datë do të jetë një moment vendimtar për t’i dhënë përgjigjen e duhur “praktikave të ekstremit të majtë, narkoshtetit dhe censurës”.

Në mbyllje të fjalës së tij, Berisha u shpreh i gatshëm të dëgjojë çdo koment, sugjerim apo pyetje nga qytetarët.