Berisha: Rama na vodhi programin. Falim gjobat, mbulojmë shpenzimet për fëmijën e tretë nga lindja deri 23 vjeç


Kreu i PD-së Berisha përsëriti akuzat ndaj kryeministrit Rama për vjedhje të programit.

Gjatë një takimi me gratë kandidate për deputete, kryedemokrati tha se kreu i qeverisë vodhi propozimin e PD-së për pensionin minimal 200 euro e për faljen e gjobave.

“Pastaj kthehet dhe kopjon programin. Ju e patë, një ditë të bukur tha unë do vendos pensionin 200 euro. Po ne kishim dorëzuar ligjin një vit e gjysmë më para pikërisht për këtë, për minimumin jetik 200 euro. Ai nuk e votoi, kur unë e ftova që hajde të mblidhemi urgjent dhe ta votojmë në parlament, ai e spostoi në vitin 2030. Tani ai kalon tek pjesa tjetër e programit, falja e gjobave. Ju e dini që ne kemi premtuar faljen e çdo gjobe për qytetarët shqiptarë që është vendosur para datës 11 maj e gjer në vitin 1992. Çdo gjobë, çdo kamatë zerohet, bëhet inekzistente për çdo gjë. Duam t’i çlirojmë qytetarët shqiptarë nga makthet e padrejtësive që ata kanë përjetuar ndër vite.”– tha Berisha.

Më tej kreu i opozitës theksoi se qeveria e tij do marrë përsipër shpenzimet për fëmijën e tretë të familjeve shqiptare, nga lindja deri në moshën 23-vjeçare. Berisha tha se Shqipëria është pakësuar për shkak të braktisjes së vendit nga keqqeverisja e socialistëve dhe kryeministrit Rama.

“Një zonjë e re në Krujë më tha: çfarë do bëni ju për fëmijët Doktor, se unë këtu kam dy fëmijë, nuk ka kopsht, ka gjithsej vetëm dy kopshte në Krujë. Pra, familje që detyrohen të përcjellin anëtarët e vet jashtë shtetit se nuk ka punë, nuk kanë ushqim, nuk u mjaftojnë të ardhurat. Familje që konstatojnë se shkollat po degradojnë dhe se niveli i dijeve të fëmijëve të tyre në vend që të rritet, vetëm bie. Kjo është e vërteta. Familje që pakësohën, pakësohen dhe vetëm pakësohen. Unë isha dje në Korçë. Cilat ishin shifrat për Ersekën? Erseka ka qenë 27 mijë banorë në vitin 2013. Erseka ka mbetur me 7 mijë banorë. Një largim masiv. Dhe këta 7 mijë, e kuptoni vetë, po t’u bësh mesataren e moshës, del moshë tejet e thyer. Erseka ka pasur vetëm një lindje në vitin 2023, qyteti. Dhe asnjë fjalë nuk thuhet për këtë. Ne kemi vendosur një politikë demografike shumë të fortë.  Ne do japim bonus për fëmijën e parë 70 euro. Bonus për fëmijën e dytë, 60 euro. Për fëmijën e tretë do jenë nga lindja gjer në 23 vjeç, të gjitha shpenzimet e shtetit. Po kështu fëmijën e katërt.” – shtoi Berisha.