Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, njëherazi kandidat në listën e hapur të Partisë Socialiste për Tiranën, deklaroi gjatë një interviste në emisionin “Open” se objektivi i PS në zgjedhjet e 11 majit është jo vetëm ruajtja e rezultatit, por edhe sigurimi i mandatit të 20-të qeverisës.
“Lufta është për mandatin e 20-të dhe më shumë. Lista jonë ka cilësi, dhe kjo është arma jonë më e fortë. Duke parë pjesëmarrjen gjithnjë e më aktive të diasporës, presim një rezultat akoma më pozitiv,” u shpreh Gonxhja.
Ai theksoi se mungesa e opozitës në terren ka krijuar hapësirë për një fushatë më të fokusuar te qytetarët, me theks te komunikimi i drejtpërdrejtë dhe reflektimi për të përmirësuar çfarë nuk ka funksionuar.
“Kemi zhvilluar një fushatë dëgjimi dhe reflektimi, me ndjesë aty ku është e nevojshme. Po ndërtojmë dialog, jo propagandë,” tha ai.
Gonxhja u ndal edhe te problematikat që hasin zonat periferike të kryeqytetit, veçanërisht njësia nr.6, ku ai është drejtues politik i fushatës së PS. Sipas tij, sfidat në terren kërkojnë bashkëpunim të ngushtë institucional dhe përkushtim të përditshëm.
“Kam detyrim t’u jap llogari qytetarëve dhe të koordinohem me kolegët në kabinet për të adresuar më mirë nevojat e territorit. Ka ende punë për t’u bërë, dhe kjo është përgjegjësi që e mbaj me vetëdije të plotë,” theksoi Gonxhja.
Në përmbyllje, ai vuri në dukje se qëllimi i Partisë Socialiste mbetet përmirësimi konkret i jetës së qytetarëve, përmes një qeverisjeje efikase dhe gjithëpërfshirëse.