Klaus Schwab ka dhënë dorëheqjen si kryetar i Forumit Ekonomik Botëror (WEF), duke i dhënë fund më shumë se pesë dekadave në krye të organizatës që ai themeloi në 1971.
E njohur për mbledhjen e saj vjetore të krerëve të biznesit dhe politikës në vendpushimin malor zviceran të Davos, WEF dhe ish-kreu i saj u bënë simbole të globalizimit.
Vendimi i Schwab, i cili mbushi 87 vjeç këtë vit, për të dhënë dorëheqjen u njoftua nga WEF të hënën pas një takimi të jashtëzakonshëm të bordit një ditë më parë.
“Pas njoftimit tim të fundit, dhe pasi kam hyrë në vitin tim të 88-të, kam vendosur të largohem nga pozicioni i kryetarit dhe si anëtar i Bordit të Besuar, me efekt të menjëhershëm,” i tha Schëab bordit, sipas një njoftimi për shtyp të WEF.
Një inxhinier dhe ekonomist me origjinë gjermane, Schwab thuhet se e ngriti WEF për të nxitur bashkëpunimin publik-privat dhe bashkëpunimin global. Gjatë gjithë mandatit të tij, Schwab u bë i njohur gjerësisht si një avokat i vendosur i ndërlidhjes dhe ndërvarësisë. Ai argumentoi se bashkëpunimi ndërkombëtar ishte thelbësor për zgjidhjen e sfidave të ndërlikuara si ndryshimi i klimës, pabarazia dhe përçarja teknologjike.
Me kalimin e viteve, ai e shndërroi takimin vjetor në Davos në një nga platformat më të profilit të lartë në botë. Fshati zviceran gradualisht u bë një pjesë e kalendarit ndërkombëtar në janar, kur krerët politikë, shefat e kompanive dhe persona të famshëm mblidheshin për të diskutuar axhendën për vitin e ardhshëm.
Nën udhëheqjen e Schwab, WEF u rrit në ndikim, por gjithashtu u përball me kritika. Organizata është akuzuar për elitizëm dhe se nuk ka lidhje me shqetësimet më të gjera të publikut.
Schwab parashikoi një reagim kundër globalizimit shumë përpara fitores së zgjedhjeve të 2016 të Donald Trump dhe votës së Mbretërisë së Bashkuar për t’u larguar nga BE në të njëjtin vit, shkruan Rt. Të dyja ngjarjet shihen gjerësisht si shenja të pakënaqësisë në rritje me sistemin ekonomik global.
Në një opinion të vitit 1996, si bashkëautor për International Herald Tribune, Schwab paralajmëroi: “Një reagim në rritje kundër efekteve të globalizimit, veçanërisht në demokracitë industriale, po kërcënon një ndikim shumë shkatërrues në veprimtarinë ekonomike dhe stabilitetin social në shumë vende.”
Peter Brabeck-Letmathe, ish-kreu i Nestle dhe nënkryetar i WEF, është emëruar kryetar i përkohshëm ndërsa një komitet fillon procesin e zgjedhjes së një pasuesi të përhershëm, njoftoi organizata.