“Gratë dhe vajzat, arma sekrete e PS më 11 maj” – Rama nga Berati


Kryeministri Edi Rama zhvilloi pasditen e sotme një takim me gratë dhe vajzat e Beratit, në kuadër të fushatës për zgjedhjet vendore të 11 majit. Në fjalën e tij, Rama vlerësoi rolin kyç të grave dhe vajzave në Partinë Socialiste dhe në shoqërinë shqiptare, duke theksuar se përfshirja e tyre është një element transformues për vendin.

“Gratë dhe vajzat nuk janë thjesht pjesë e strukturës sonë, por motori që po shtyn përpara transformimin e Shqipërisë. Nuk bëhet fjalë vetëm për barazi gjinore, por për përfshirje reale në vendimmarrje,” tha Rama.

Kryeministri nënvizoi se për zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste ka në përbërje të skuadrës së saj 71 gra dhe vajza, ndërsa në listat e mbyllura, 52% e kandidatëve janë gra.

“Dikush thoshte sot: ‘Vetëm me gratë do e mundë Edi Rama kënetën’. Po, me ju do ta mundim çdo kënetë – sepse jeni forca më e madhe transformuese. As bufi i kënetës nuk i mbledh dot gratë dhe burrat në gjithë qarkun siç jeni mbledhur ju sot,” shtoi ai, duke mos kursyer as ironinë ndaj opozitës.

Rama u shpreh se përmes përfshirjes së grave në strukturat e PS, partia ka kthyer në ligje rregulla që më parë ishin vetëm pjesë e organizimit të brendshëm. Ai përfundoi duke theksuar synimin që përfaqësimi gjinor në parti të arrijë barazinë e plotë – e ndoshta edhe një grua më shumë.