Ilir Meta ironizon Ramën: UFO-ja premton Europën, por s’hedh as një lopatë asfalt në Skrapar


Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë një takimi elektoral të zhvilluar në qytetin e Çorovodës.

Meta e ironizon Ramën duke e quajtur “UFO”, ndërsa shprehet se kryeministri foli për integrimin europian, por nuk dha asnjë përgjigje konkrete për problemet që prekin drejtpërdrejt zonën e Skraparit.

Në Çorovodë, ‘UFO’ premtoi Europën, por nuk tha asnjë fjalë pse rruga Skrapar-Përmet ka mbetur e pambaruar në fshatin Rog dhe përse që nga viti 2017 nuk është hedhur as edhe një lopatë asfalt,” shkruan Meta.

Ai akuzon qeverinë për devijimin e rrugës së TAP-it që lidhte Skraparin me Korçën dhe për braktisjen e zonës, duke theksuar se fondet për bujqësinë dhe blegtorinë – përfshirë edhe ato të BE-së – kanë përfunduar në projekte të dështuara si inceneratori “fantazmë”.

“Skrapari është rrënuar këto tetë vite, ndërsa kryeministri kërkon vota. Ai kërkoi të votohet numri 5, por skraparllinjtë e dinë mirë se 5 është notë kalimi – kurse ata janë gjithmonë njësha,” vijon Meta.

Më tej, Meta deklaron se Skrapari do të ketë tre deputetë të sigurtë: Dr. Zija Ismailin, Lefter Maliqin dhe vetë atë. Ai përmend edhe një kandidate me origjinë nga Skrapari të vendosur në listat e Partisë Socialiste, duke shtuar me ironi se “edhe ajo do ta ketë të vështirë të qëndrojë e kyçur në listat e mbyllura kur të dëgjojë ‘çuditë e Ballkanit të Hapur’ në shtator”.

Në fund të reagimit të tij, Meta u bën thirrje qytetarëve të Skraparit të votojnë koalicionin “Shqipëria Madhështore”, me numrin 1 në fletën e votimit.