Jozefina Topalli për diasporën: Mazhoranca po përdor ambasadat dhe konsullatat për të siguruar vota


Jozefina Topalli, drejtuesja politike e PD-së për diasporën, ka deklaruar se emigrantët shqiptarë po shndërrohen në një faktor vendimtar për rotacionin politik në vend. E ftuar në emisionin “Open” në News24, ajo ka akuzuar mazhorancën se ka keqpërdorur ambasadat dhe konsullatat për të ndikuar në votën e diasporës.

“Ambasadat dhe konsullatat janë përdorur për të siguruar vota. Është një përdorim i pamëshirshëm dhe i paligjshëm i institucioneve shtetërore në funksion të fushatës,” deklaroi Topalli, duke shtuar se emigrantët kanë një perspektivë ndryshe nga votuesit në Shqipëri.

Sipas saj, diaspora është më e pavarur financiarisht dhe më e imunizuar ndaj formave të presionit politik.

“Jetojnë në vende ku politika funksionon ndryshe. Është e vështirë t’u imponohesh, përveç rasteve kur i kushtëzojnë me vendin e punës apo bukën e gojës së të afërmve në Shqipëri,” u shpreh ajo.

Topalli theksoi se shqiptarët jashtë vendit janë shumë të vetëdijshëm për fuqinë politike që kanë.

“Më vijnë pafund mesazhe që thonë ‘erdhi zarfi’, ‘votova’. Ata janë të lidhur fort me vendlindjen dhe e dinë rolin që luajnë për ndryshimin,” tha ajo, duke theksuar se nëse nuk do të kishte sistem rajonal, vota e tyre do të përkthehej në rreth 25 mandate.

Në analizën e saj për situatën aktuale politike, Topalli tha se Shqipëria ndodhet përpara një momenti vendimtar.

“Frika e shembjes së pushtetit nuk ka qenë kurrë më e madhe. Kryeministri Rama është i stresuar dhe kjo reflektohet në fushatën e tij, e cila ngjan më shumë me një spektakël se sa një platformë politike,” tha ajo.

Topalli përfundoi se qytetarët presin ide dhe programe konkrete, jo show. “Nuk ka më bilanc për të treguar, nuk ka një plan të qartë. Shqiptarët duan program, jo spektakël,” theksoi ajo.