Kandidatja e Partisë Socialiste për bashkinë e Roskovecit, Zegjine Çaushi, është kallëzuar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për përdorim të burimeve shtetërore në funksion të fushatës elektorale.
Denoncimi është bërë nga organizata “Qëndresa Qytetare”, e cila ka publikuar pamje të Çaushit duke zhvilluar një takim elektoral brenda ambientit të shkollës 9-vjeçare “Rramen Dashi” në fshatin Arapaj. Sipas organizatës, ky veprim përbën shkelje të Kodit Zgjedhor, i cili ndalon përdorimin e ambienteve publike për qëllime politike gjatë fushatës.
Në të njëjtën kohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procedura administrative edhe ndaj ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, pas një tjetër kallëzimi të bërë nga e njëjta organizatë.
Sipas raportimeve, ministri është filmuar në Tiranë duke shpërndarë materiale elektorale nga një automjet i Ministrisë së Brendshme, çka mund të përbëjë një tjetër rast të keqpërdorimit të burimeve publike për fushatë.
KQZ ka bërë të ditur se të dy rastet janë në shqyrtim dhe do të trajtohen në përputhje me dispozitat ligjore për barazi në garën zgjedhore dhe ndarjen e qartë mes funksioneve shtetërore dhe aktiviteteve politike.