“Lubi Balluku paguhej për të mbikëqyrur një incenerator që nuk ka as tullë as nishan” – Berisha


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka drejtuar akuza ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku gjatë prezantimit të kandidatëve të PD-së për qarkun e Fierit. Berisha e cilësoi Ballukun si një nga figurat kyçe të aferës së inceneratorëve, duke e quajtur në mënyrë tallëse “Lubi”.

Berisha tha se për vite me radhë, Balluku është paguar nga taksat e qytetarëve për të mbikëqyrur punimet e inceneratorit të Fierit – një projekt që, sipas tij, nuk ekziston as në fazë ndërtimi.

“Kjo Lubi Balluku që keni këtu, paguhej me taksat tuaja për të mbikëqyrur një incenerator që nuk ka as tullë, as nishan. Për 5-6 vite, nuk ka bërë asnjë raport, asnjë përditësim mbi situatën e punimeve, sepse nuk kishte çfarë të raportonte,” u shpreh Berisha.

Ai shtoi se kjo mungesë transparence nuk ishte rastësore, por një pjesë e strategjisë për të mbuluar abuzimet dhe për të mbrojtur interesat e kryeministrit Edi Rama.

“Ajo nuk raportonte, sepse paratë nuk shkonin për ndërtimin e inceneratorit, por për interesa të Edi Ramës. Ju paguanit rrogat, ndërsa fondet zhdukeshin,” tha Berisha, duke i cilësuar skemat e inceneratorëve si simbol të korrupsionit qeveritar.