Ministri i Ekonomisë: Dolëm nga errësira, Shqipëria sot më mirë se kurrë, nuk krahasohet me rajonin


Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se Shqipëria ndodhet sot në një nga momentet më të mira të zhvillimit të saj ekonomik dhe social, duke e cilësuar këtë si “kulmin e mundshëm” për një vend me historinë dhe sfidat e Shqipërisë post-komuniste.

I ftuar në emisionin “Open” në News24, Gonxhja theksoi se progresi i arritur është i jashtëzakonshëm, duke pasur parasysh se vendi vinte nga një izolim total dhe nga një tranzicion i vështirë pas viteve ’90.

“Nga errësira që dolëm, nga një situatë e pakrahasueshme me vendet e rajonit, Shqipëria sot ka arritur një nivel që askush nuk do ta kishte besuar. Jemi në maksimumin e mundshëm për kontekstin tonë historik dhe ekonomik,” tha ministri.

Sipas tij, nga viti 2013 deri në vitin 2024, të ardhurat për frymë janë trefishuar, nga 3,334 euro në 10,342 euro, dhe parashikohet që deri në vitin 2030 të arrijnë mbi 14,000 euro për frymë.

Edhe paga mesatare, tha Gonxhja, ka ndjekur një trajektore të ngjashme, duke u rritur nga 322 euro në vitin 2013 në 830 euro në vitin 2024, që përbën një rritje prej 2.6 herë.

“Nga pikëpamja ekonomike, Shqipëria e sotme nuk ka krahasim me atë të një dekade më parë. Shifrat flasin vetë. Rritja është e padiskutueshme,” theksoi ai.

Gonxhja u ndal edhe te ndikimi i çmimeve në jetën e qytetarëve, duke theksuar se produktet bazë, tregu i punës dhe kostoja e jetesës janë në fokus të vazhdueshëm të qeverisë.

Ai përmendi edhe programet e kompensimit për kategoritë në nevojë, si pjesë e përpjekjeve për të ruajtur ekuilibrin social në kushtet e një ekonomie në rritje.

“Qeveria ka ndërmarrë një sërë masash për të mbështetur shtresat më të prekura dhe për të ruajtur fuqinë blerëse. Produktiviteti dhe reforma në tregun e punës mbeten prioritete kyçe,” tha ministri.