Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim elektoral në Skrapar, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit.
Në fjalën e tij, Rama e cilësoi këtë votim si një moment historik, që shkon përtej përcaktimit të një qeverie, duke e konsideruar si një hap vendimtar për afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.
“Më 11 maj ne të gjithë do të shkojmë në zgjedhje jo si gjithmonë për të caktuar një qeveri. Por do të shkojmë në zgjedhje në takim me historinë. Duhet të bëhemi sa më shumë, sa më të bashkuar për të vendosur me votën tonë krijimin e një fuqie më të madhe vendimmarrëse, që këtë mundësi të madhe, derën për në BE, ta shfrytëzojmë duke mbyllur negociatat brenda 2027-ës”, tha Rama.
Ai theksoi se mbyllja e negociatave është e mundur vetëm nëse maxhoranca ka një mbështetje të fortë për të kaluar reformat pa pengesa, duke sulmuar ashpër opozitën, të cilën e cilësoi si një pengesë të vazhdueshme për përparimin e vendit.
“I mbyllim vetëm nëse kemi një fuqi që na jep mundësinë që të gjitha ato që diskutojmë në tryezë, në të gjitha drejtimet, të mund t’i bëjmë pa hasur pengesa në parlament, pa pasur në këmbë ‘speciet e kënetës’. Ta shtyjmë fort Shqipërinë drejt BE-së dhe të thajmë kënetën. Ajo është bërë pengesë e vazhdueshme e këtij vendi”, u shpreh kreu i qeverisë.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit lidhur me reformën në drejtësi, Rama sulmoi sërish opozitën dhe kundërshtarët e reformës, duke përdorur tone të ashpra.
“E keni parë se ajo që kemi arritur me vendosjen e barazisë para ligjit, në anën tjetër kemi bufin e kënetës që përbetohet me votën e shqiptarëve se do ta përmbysë reformën në drejtësi. Ne nuk lejojmë që historia të kthehet aty ku ishte. Vetëm duke e futur Shqipërinë në BE, garantojmë për brezat se barazia para ligjit është e paprekshme”, përfundoi Rama.