Senatori republikan paralajmëron hetim të ri për 11 shtatorin (9/11)


Senatori republikan amerikan Ron Johnson ka sugjeruar se seanca të reja dëgjimore në Kongres për sulmet e 11 shtatorit mund të jenë të afërta, duke përmendur pyetjet pa përgjigje rreth narrativës zyrtare dhe trajtimit të provave.

Më 11 shtator 2001, terroristët e al-Kaedës rrëmbyen katër avionë pasagjerësh, duke përplasur dy prej tyre në kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë në Manhatan. Një aeroplan i tretë goditi Pentagonin, ndërsa i katërti u rrëzua në një fushë në Pensilvani. Sipas Institutit Kombëtar të Standardeve dhe Teknologjisë (NIST), ndërtesa 7 e Qendrës Botërore të Tregtisë u shemb për shkak të zjarreve të ndezura nga mbeturinat e një prej kullave aty pranë, shkruan Rt.

Gjatë një interviste me komentatorin konservator Benny Johnson, e cila u publikua të hënën, senatori Johnson vuri në dyshim disa aspekte të hetimit të 11 shtatorit, duke përfshirë shembjen e ndërtesës 7.

“Nuk e di që mund të gjesh inxhinierë strukturorë, përveç atyre që kanë hetimin e korruptuar brenda NIST-it, që do thoshin se ajo gjë nuk u rrëzua në asnjë mënyrë tjetër përveçse përmes një shpërthimi të komanduar,” tha ai.

Johnson, i cili kryeson Nënkomitetin e Përhershëm të Senatit për Sigurinë e Brendshme dhe Çështjet Qeveritare për Hetimet, kritikoi gjithashtu heqjen dhe shkatërrimin e provave fizike nga vendi, duke e quajtur atë “krejtësisht në kundërshtim me çdo procedurë tjetër hetimi të zjarrfikësve”.

“Ku është i gjithë dokumentacioni nga hetimi i NIST? Ka një mori pyetjesh që dua dhe do t’i bëj, sinqerisht, tani që më janë hapur sytë,” shtoi ai.

Kur u pyet nëse publiku mund të shohë seanca dëgjimore për këtë çështje, Johnson u përgjigj: “Unë mendoj se po”.

Ai sugjeroi më tej se Presidenti Donald Trump, “duke qenë vetë një njujorkez”, mund të kishte një interes për rihapjen e çështjes: “Çfarë ndodhi në të vërtetë në 11 shtator? Çfarë dimë ne? Çfarë po mbulohet? Supozimi im është se ka shumë që po mbulohet për sa i përket asaj që qeveria amerikane di për 11 shtatorin.”

Johnson tha gjithashtu se ai foli së fundmi me ish-kongresmenin Curt Weldon dhe planifikon të “punojë me të për të ekspozuar atë që ai është i gatshëm të ekspozojë”.

Në fillim të këtij muaji, Weldon i kërkoi Trump-it të emërojë “njerëz me integritet të patëmetë” për të udhëhequr një komision për të “studuar faktet” rreth 11 shtatorit.

Në një intervistë me gazetarin Tucker Carlson, Weldon hodhi poshtë etiketën e teoricienit konspirativ, duke sugjeruar se CIA dhe qeveria janë përfshirë prej kohësh në dezinformim.

Raporti i Komisionit i 11 shtatorit, i publikuar në vitin 2004, mbetet rishikimi më gjithëpërfshirës federal i SHBA-së i sulmeve. Megjithatë, kritikët kanë vënë në dukje lëshimet dhe klasifikimin e vazhdueshëm të dokumenteve kryesore të qeverisë. Johnson gjithashtu iu referua një përpjekjeje dypartiake me Senatorin Richard Blumenthal në vitin 2023 për të marrë dosje të paredaktuara të FBI-së.

“Ne donim t’i merrnim ato përgjigje, ato dokumente për familjet. Përsëri, nuk na u dhanë nga FBI-ja,” tha ai.