Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar një tjetër paralajmërim ndaj grupeve kriminale që, sipas tij, po përpiqen të ndikojnë zgjedhjet e 11 majit përmes kërcënimeve dhe presioneve mbi qytetarët.
Gjatë një takimi elektoral në Vorë, Berisha sulmoi ashpër kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke e akuzuar për lidhje me grupe kriminale dhe duke theksuar se këto grupe do të përballen me pasojat e ligjit sapo opozita të vijë në pushtet.
“Ju kriminelë, që nga banda e Erion Velisë, e deri tek të tjerët që ju përdorin, mos guxoni të kërcënoni qytetarët e Vorës. Ju jap fjalën e nderit, vend mbi tokë nuk do ketë për terroristët,” deklaroi Berisha.
Ai shtoi se drejtësia do të veprojë me forcë të plotë.
“Ju garantoj se do përfundoni si Erioni, dhe me ju bashkë edhe Edi. Që në javën e parë të qeverisjes sonë, do shpalleni organizatë terroriste. Shteti do jetë i pamëshirë.”
Berisha akuzoi qeverinë për bashkëpunim me krimin dhe për përfshirje në plaçkitje të pasurive publike përmes institucioneve.
“Vidhni e plaçkisni me ndihmën e shtetit çdo ditë, dhe tani doni të frikësoni qytetarët për vota. Mjerë ju për ç’ju pret në Elbasan, Durrës, Shkodër – kudo që jeni. Soji juaj do shpallet terrorist,” theksoi ai.
Në fund të fjalës së tij, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen dhe të votojnë për ndryshimin më 11 maj, duke premtuar rindërtimin e infrastrukturës në të gjitha zonat e Bashkisë Vorë dhe një rol të rëndësishëm për Kasharin në reformën territoriale të ardhshme.
“Vota na bën të lirë. Të bashkohemi për Vorën, për Shqipërinë!”