Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë një paralajmërim ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, duke thënë se lideri i Kievit ndodhet në një situatë “të dëshpëruar” dhe se përpara ka dy rrugë: “Mund të zgjedhë paqen, ose të luftojë edhe për tre vjet të tjerë përpara se të humbasë të gjithë vendin.”
Deklarata e Trump erdhi pasi Zelensky theksoi një ditë më parë se “Ukraina nuk do ta njohë kurrë ligjërisht pushtimin rus të Krimesë”, një qëndrim ky që sfidon thelbin e një plani të ri paqeje të propozuar nga SHBA në diskutim në Londër, me pjesëmarrjen e zyrtarëve ukrainas, britanikë dhe evropianë, përcjell NY Post.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump kritikoi deklaratën e Zelensky-t, duke thënë:
“Kjo deklaratë dëmton seriozisht negociatat për paqe me Rusinë. Krimea u humb vite më parë nën presidencën e Barack Obama-s dhe sot nuk është më pjesë e diskutimit.”
Duke ironizuar qëndrimin e Kievit, Trump shtoi:
“Askush nuk po i kërkon Zelensky-t ta njohë Krimenë si territor rus, por nëse e donin kaq shumë, përse nuk luftuan për të në 2014, kur iu dorëzua Rusisë pa qëlluar asnjë plumb?”
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se Trump është thellësisht i frustruar me qasjen e presidentit ukrainas, duke shtuar se “durimi i tij po soset.”
“Zelensky po përpiqet të zhvillojë këtë proces paqeje në media, gjë që është e papranueshme për presidentin. Negociatat duhet të zhvillohen me dyer të mbyllura,” theksoi ajo.
Sipas saj, SHBA ka shpenzuar miliarda dollarë në ndihmë për Ukrainën dhe është koha që të dyja palët të bëjnë kompromis.
“Në çdo marrëveshje të mirë, të dyja palët duhet të largohen pak të pakënaqura,” shtoi Leavitt.
Ndërkohë, plani i paqes i Trump pritet të sjellë një ndryshim të madh në politikën e jashtme amerikane, pasi përfshin njohjen formale të Krimesë si territor rus, si dhe një njohje de facto të katër rajoneve lindore të pushtuara nga Rusia.
Çfarë përfiton Rusia nga “oferta përfundimtare” e Trump:
Njohje formale e Krimesë si territor rus
Njohje faktike e kontrollit mbi Luhansk, Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia
Premtim se SHBA nuk do mbështesë anëtarësimin e Ukrainës në NATO
Heqje e disa sanksioneve dhe hapje për bashkëpunim ekonomik me SHBA
Çfarë përfiton Ukraina:
Garanci sigurie nga forcat evropiane (jo amerikane)
Rikthim i një pjese të rajonit të Kharkivit
Të drejta lundrimi në lumin Dnieper
Ndihmë për rindërtimin pas luftës (ende pa burime të qarta financimi)
Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan theksoi se doktrina e njohur si “Deklarata Welles”, e vitit 1940, ende qëndron si pozicion zyrtar i SHBA-së, por pranoi se ajo mund të zbehet nëse plani i Trump zbatohet.
Trump vuri theksin tek Zelensky si pengesë për paqe:
“Zelensky me deklaratat e tij nxit zjarrin e kësaj lufte dhe nuk ka asgjë për të mburrur. Ai është njeriu pa letra në dorë – është koha të përfundojë këtë marrëveshje.”
Administrata e Trump-it ka paralajmëruar se nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda kësaj jave në Londër, SHBA mund të tërhiqet përfundimisht nga përpjekjet për paqe në Europën Lindore.