Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, deklaroi se vendi i tij do të “tërhiqet” nga përpjekjet diplomatike për paqe, nëse Ukraina dhe Rusia nuk pranojnë një marrëveshje, duke përsëritur tonin e fortë të disa zyrtarëve amerikanë kohët e fundit.
Paralajmërimi i Vance erdhi pasi bisedimet në Londër mes zyrtarëve të Britanisë, Francës, Gjermanisë, Ukrainës dhe SHBA-së, që kishin për qëllim arritjen e një armëpushimi, u minimizuan kur Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari special Steve Witkoff, u tërhoqën papritur, përcjell BBC.
Fokusi i SHBA-së është tashmë te bisedimet këtë javë në Moskë, ku Witkoff do të takohet për herë të katërt me presidentin rus, Vladimir Putin, në një periudhë kur diplomacia për përfundimin e luftës po intensifikohet.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se këmbëngul për një “armëpushim të menjëhershëm, të plotë dhe pa kushte”.
“Ndërprerja e vrasjeve është detyra numër një”, shkroi ai në rrjetet sociale të mërkurën.
Vance, gjatë një vizite në Indi, tha për gazetarët se SHBA-ja ka paraqitur një “propozim shumë të qartë” për të dyja palët.
“Është koha që ata ose të thonë po, ose SHBA-ja të tërhiqet nga ky proces. Ne kemi bërë një punë të jashtëzakonshme diplomatike dhe në terren”, deklaroi ai.
Në vend të Rubio dhe Witkoff në bisedimet e Londrës po merr pjesë gjenerali Keith Kellogg, i dërguari i presidentit Trump për Ukrainën. Rubio i cilësoi ato si “takime teknike”.
Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, zhvilloi një takim dypalësh me homologun e tij ukrainas të mërkurën.
Gjithnjë e më shumë po përflitet se Rusia mund të jetë e gatshme të ndalë ofensivën përgjatë vijave aktuale të frontit, në këmbim të lëshimeve të rëndësishme nga Perëndimi. Por nuk ka ende qartësi mbi drejtimin e negociatave apo gjasat për sukses.
Vance shtoi: “Ka ardhur momenti, nëse jo për hapin përfundimtar, atëherë për një nga hapat e fundit: palët duhet të thonë se do të ndalin vrasjet dhe do të ngrijnë vijat territoriale diku pranë ku janë sot.”
“Kjo nënkupton që si Ukraina, ashtu edhe Rusia duhet të heqin dorë nga disa territore që aktualisht kontrollojnë,” theksoi ai.
Presidenti Zelensky e ka përjashtuar njohjen e Krimesë së pushtuar si territor rus, pas raportimeve se kjo mund të jetë pjesë e një kompromisi mes SHBA-së dhe Kremlinit.
Ai tha: “Ukraina nuk e njeh juridikisht pushtimin e Krimesë. Nuk ka për çfarë të flasim.”
Rusia rifilloi sulmet ndaj Ukrainës të mërkurën pas një pauze për Pashkë, gjatë së cilës ndaloi sulmet ajrore. Në qytetin lindor të Marhanets, një dron rus goditi një autobus që transportonte punëtorë, duke vrarë nëntë persona dhe plagosur dhjetëra të tjerë.
Në rajonin jugor të Khersonit, një objekt kyç energjetik u shkatërrua pas sulmeve të përsëritura ruse.
Ministria e Jashtme britanike konfirmoi se bisedimet mes ministrave të Jashtëm u shtynë dhe shtoi se takimet në nivel zyrtar do të vijojnë, por do të jenë të mbyllura për median.
Diplomatët britanikë nuk ishin të qartë për arsyet e tërheqjes së Rubio dhe Witkoff. Departamenti amerikan i Shtetit përmendi arsye logjistike, por ishte e dukshme se vendimi ishte i momentit të fundit, duke zënë në befasi britanikët.
Rubio kishte folur me sekretarin britanik të Jashtëm të martën mbrëma dhe u shpreh se “takimet teknike do të jenë substanciale”. Ai premtoi se do të riplanifikojë vizitën në Britani.
Sipas analistëve, SHBA-ja mund të jetë tërhequr pasi e konsideronte të papërshtatshme të përballonte një refuzim nga Ukraina për propozimin e fundit të armëpushimit – ose nuk kishte asgjë të re për të shtuar pas bisedimeve të Parisit.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Witkoff do të udhëtojë në Moskë këtë javë për një takim të katërt me presidentin Putin.
Ndërkohë, gazeta Financial Times raportoi se Rusia mund të jetë e gatshme të tërhiqet përgjatë vijave ekzistuese të frontit dhe të heqë dorë nga pretendimet për territore që nuk i kontrollon, në këmbim të njohjes amerikane të sovranitetit rus mbi Krimenë. Por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e mohoi këtë, duke e quajtur raportin “fake”.
Zelensky tha se nuk është informuar për ndonjë propozim të tillë dhe se nuk do ta njohë kurrë Krimenë si territor rus, pasi kjo do të ishte në kundërshtim me normat ndërkombëtare që ndalojnë ndryshimin e kufijve me forcë.
Yuriy Sak, këshilltar në Ministrinë ukrainase të Industrive Strategjike, tha për BBC se është “e paarsyeshme të diskutohet” për tema të tilla dhe e cilësoi “naive” idenë që Ukraina mund të ndryshojë qëndrim për çështje “të panegociueshme” si Krimea.
Ai shtoi se negociatorët ukrainas do të marrin pjesë në bisedimet në Londër me një “mandat shumë të qartë dhe të ngushtë” për të arritur një armëpushim që do të hapë rrugën për bisedime të mëtejshme.
Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey, tha se inteligjenca ushtarake britanike nuk kishte gjetur prova për një ndalim të vërtetë të sulmeve ruse gjatë Pashkëve.
“Ndërsa Putini thotë se shpalli një armëpushim për Pashkë, ai e theu atë. Ndërsa thotë se kërkon paqe, ai ka refuzuar një armëpushim të plotë,” tha Healey. “Ndërsa pretendon se do t’i japë fund luftimeve, po fiton kohë në negociata.”
Sipas vlerësimeve, që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt 2022, qindra mijëra njerëz janë vrarë apo plagosur në të gjitha anët, dhe rreth shtatë milionë ukrainas janë aktualisht refugjatë në mbarë botën.
Konflikti rrjedh që prej vitit 2014, kur presidenti pro-rus i Ukrainës u rrëzua nga pushteti. Rusia më pas aneksoi Krimenë dhe mbështeti rebelët në luftën e përgjakshme në lindje të vendit.