Vatikani në zi, homazhet për Papa Françeskun nisin të mërkurën, varroset në Bazilikën e Santa Maria Maggiore


Katolikët në mbarë botën vazhdojnë të mbajnë zi për humbjen e Papa Françeskut, ndërsa nga Vatikani janë zbuluar detaje të reja mbi momentet e fundit të jetës së tij dhe përgatitjet për ceremonitë përkujtimore.

Papa Françesku, me emër të lindjes Jorge Mario Bergoglio, drejtoi Kishën Katolike për më shumë se dymbëdhjetë vjet.

Sipas Vatikanit, Papa Françesku ndërroi jetë të hënën e Pashkëve në rezidencën e tij në Casa Santa Marta. Ata që ndodheshin pranë tij e përshkruan ndarjen nga jeta si një vdekje të papritur dhe pa vuajtje.

Imazhe të Papës të shtrirë në arkivolin e tij të hapur në kapelën e rezidencës u shpërndanë nga Selia e Shenjtë, duke sjellë për herë të fundit një pamje prekëse për besimtarët.

Ceremonia mortore dhe pjesëmarrësit e konfirmuar

Kardinalët janë mbledhur që në orët e para të mëngjesit për të vendosur për funeralin, i cili do të mbahet të shtunën, përpara Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan.

Ndër liderët botërorë që kanë konfirmuar pjesëmarrjen janë, presidenti i SHBA-ve Donald Trump, Kryeministri i Britanisë së Madhe Keir Starmer, kancelari i Gjermanisë Scholz, Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Gjithashtu, Princi William do të përfaqësojë Mbretin Charles në ceremoni, sipas njoftimit nga Pallati Kensington.

Homazhet publike dhe vendi i varrimit

Trupi i Papa Françeskut do të zhvendoset nesër në mëngjes për të qëndruar në gjendje publike në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku qytetarët do të mund t’i bëjnë nderimet e fundit.

Qeveria italiane ka shpallur pesë ditë zie kombëtare pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut. Këto ditë zie do të përfundojnë të shtunën, kur mbaron ceremonia mortore jashtë Bazilikës së Shën Pjetrit.

Por ndryshe nga shumë paraardhës të tij, Papa Françesku nuk do të varroset nën Bazilikën e Shën Pjetrit, por në Bazilikën e Santa Maria Maggiore, siç kishte shënuar vetë në testamentin e tij.

Mbi varrin e tij, sipas dëshirës së tij, do të shkruhet vetëm emri: Franciscus dhe shpenzimet e varrimit do të mbulohen nga donacionet.

Papa i fundit i varrosur në këtë bazilikë ishte më shumë se 350 vjet më parë.

Pas varrimit të Papa Françeskut, dekani i Kolegjit të Kardinalëve ka deri në 20 ditë kohë për të thirrur të gjithë kardinalët në Vatikan për të filluar konklavën, procesin për zgjedhjen e Papës së ardhshëm.

Kush mund të zgjidhet Papë?

Në teori, çdo burrë katolik i pagëzuar mund të zgjidhet si Papë.
Megjithatë, në praktikë, kardinalët zakonisht zgjedhin një nga radhët e tyre, për shkak të përvojës dhe pozitës së tyre në Kishë.

Pas varrimit, Kolegji i Kardinalëve do të mblidhet për të zgjedhur pasardhësin e tij. Konklava do të zhvillohet në maj, ku kanë të drejtë vote 135 kardinalë nën moshën 80 vjeç.

Pasi të zgjidhet Papa i ri, tymi i bardhë që del nga oxhaku i Kapelës Sistine do të sinjalizojë zgjedhjen e tij.

Kur mund të thotë publiku lamtumirën e fundit?

Në prag të funeralit të shtunën, vizitorëve do t’u jepet mundësia t’i bëjnë nderimet e fundit Papa Françeskut, ndërsa ai do të shtrihet brenda një arkivoli të hapur në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Trupi i tij do të zhvendoset ceremonial në bazilikë të mërkurën në orën 09:00 sipas kohës lokale (08:00 BST).

Oraret e vizitave publike për homazhe janë si më poshtë:

E mërkurë, 23 prill: 11:00 – 24:00

E enjte, 24 prill: 07:00 – 24:00

E premte, 25 prill: 07:00 – 19:00

VINI RE: Ky artikull është pronësi intelektuale e BBC

Përshtati për Hashtag.al, Aurora Hoxha