Dritan Rexhepi ka dëshmuar për herë të parë në GJKKO, ku është i akuzuar për vrasjen dhe rrëmbimin e Jan Prengës në 2020.
Ai ka mohuar akuzat, duke theksuar se në kohën e ngjarjes ndodhej në burg në Ekuador, ku vuante dënimin për trafik droge.
Rexhepi e ka hedhur poshtë lidhjen me përgjimet që dyshohet të jenë bërë me vëllanë e Jan Prengës, duke deklaruar se nuk është ai personi që flet në to.
Ai ka shtuar se ka marrë dijeni për ngjarjen vetëm nga mediat dhe familjarët e tij.
Prokurori Behar Dibra: Në fund 2019 ku ndodheshit?
Dritan Rexhepi: Isha në burg në Ekuador. Isha i burgosur me 13 vite për trafik droge. Kisha 5 vite e 4 muaj që vuaja burgun.
Dibra: A kishit kontakte me jashtë?
Rexhepi: Po me kabinë burgu.
Prokurori: Po me persona të tjerë?
Rexhepi: Jo nuk ishte e mundur.
Prokurori: Me kë kishit kontakte në burg ndonjë shqiptar?
Rexhepi: Me një kosovar, nuk ia mbaj mend emrin.
Prokurori: Ku keni qenë më përpara se të burgosurit?
Rexhepi: Nëpër botë.
Prokurori: Me kë u arrestuat?
Rexhepi: U akuzuan 10 persona. Remzi Azemi nga Kosova doli i pafajshëm
Prokurori: Gentjan Funiqi u kujton gjë ky emër?
Rexhepi: Vetëm nëpër media e kam dëgjuar. Kurrë në jetë s’kam pasur me të njohje.
Prokurori: Martin Dedja dhe Korado Gështenja i njeh?
Rexhepi: Jo.
Prokurori: Në atë kohë ke bashkëpunuar me të tjerë për të kryer aktivitet droge kur ndodheshit në Ekuador?
Rexhepi: Jo.
Prokurori: A ke marrë dijeni për një kontejner me drogë që u kap?
Rexhepi: E mësova pasi e pash nga mediat në Shqipëri. E kam dëgjuar nga familjarët e mi që në Shqipëri akuzoheshin për një ngarkesë që është kapur në Angli.
Në atë kohë mora dijeni për një person që ishte rrëmbyer dhe ishte marrë peng. Nëpërmjet familjarëve kërkova të merrja vesh. Më thanë që kishte përgjime të Dritan Rexhepit me vëllain e të humburit. Ku janë këto përgjime? Nuk jam unë aty. Më është nxirë faqja ka 5 vite. Ju keni hipur trenin e gabuar dhe doni të shkoni ku doni vetë. Nuk jam unë personi që kam folur me ata dhe s’jam unë ai person për ato që keni shkruar në dosje.