Analistët Fatos Lubonja dhe Dritan Hila debatuan në emisionin “Open” për praninë e Fredi Belerit në takimin elektoral të Sali Berishës në Himarë dhe për çështjen e minoritetit grek në këtë zonë.
Fatos Lubonja e akuzoi kryeministrin Edi Rama për mungesë patriotizmi, duke e lidhur arrestimin e Belerit tri ditë para zgjedhjeve me interesa personale dhe marrëdhëniet e tij me liderë ndërkombëtarë.
“Ai që e arrestoi Belerin 3 ditë para zgjedhjeve, ai vetëm për patriotizëm nuk pyet. Se ja dha tokën Melonit atje,” – u shpreh Lubonja, duke iu referuar një marrëveshjeje të supozuar me kryeministren italiane Giorgia Meloni.
Por Dritan Hila e kundërshtoi duke e quajtur akuzën të pavërtetë dhe duke theksuar se në Himarë nuk ekziston një minoritet grek, por një grupim me tipare linguistike.
“Kundërshtoi marrëveshjen për detin. Melonit nuk i dha tokë. Trumpit i ka thënë t’i japë tokë për resort. Unë e ndiej veten dhe patriot,” – tha Hila.
Debati vijoi me tone më të forta kur Lubonja theksoi se patriotizmi përdoret shpesh si mbulesë për abuzime dhe mungesë përgjegjësie.
“Po të ishe patriot do flisje që Rama e ka bërë copë vendin. Patriotizmi është streha e fundit e horrave. Prandaj kanë ikur 1 milion shqiptarë. Ty si patriot i madh s’të prek kjo?” – reagoi Lubonja.
Hila i kundërpërgjigj duke relativizuar numrin e emigrantëve, duke thënë se largimi i shqiptarëve ka ndodhur që prej hapjes së kufijve.
“Lërja Berishës dhe 20 ditë ta thotë këtë. Shqiptarët kanë ikur çdo vit qëkur janë hapur dyert, nga 50 mijë shqiptarë,” – u shpreh ai.
Diskutimi u zhvendos më pas te statusi i minoritetit në Himarë. Lubonja këmbënguli se minoriteti grek ekziston dhe është i njohur historikisht, përfshirë nga regjimi komunist.
“Aty në Himarë ka një minoritet. Që ka minoritet aty e ka njohur dhe Enver Hoxha o derëzi, i ngriti dhe shkolla aty,” – deklaroi Lubonja.
Ndërsa Hila replikoi:
“Nuk ka minoritet aty. Edhe Berisha e ka quajtur është minoritet linguistik. Nuk ka shkolla greke aty, ta garantoj këtë,” – tha ai.
Në fund të debatit, Lubonja shtoi se vendi nuk duhet të jetojë me frikën e një kërcënimi të jashtëm, duke ironizuar retorikën nacionaliste.
“Shportë që na mbylli në burg të ka bërë Enver Hoxha, dhe nuk duhet të sillemi sikur jemi në rrezik, sikur do na marrë Greqia,” – përfundoi Lubonja.