Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi elektoral në Sarandë, ka kritikuar ashpër gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetit, duke theksuar se “Saranda është betonizuar, ndërsa në spitale mungojnë ilaçet”.
Duke iu referuar brezit të moshuar, Berisha deklaroi se qyteti është shndërruar në vendin e burrave dhe grave të lodhur nga jeta, që sot jetojnë në varfëri të thellë pas një jete të tërë pune.
“Pensionistët në këtë vend mbijetojnë me një pension qesharak dhe të pamerituar. Punonjësit, profesionistët, mjekët, mësuesit, inxhinierët, janë detyruar t’u thonë fëmijëve të largohen, sepse këtu nuk ka më të ardhme për ta”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi gjithashtu se çmimet e ushqimeve janë dyfishuar që nga viti 2013, ndërsa pensionet nuk kanë ndjekur këtë ritëm.
“Nëse pensioni do të rritej sipas inflacionit, sot duhej të ishte 390 mijë lekë. Pse nuk ndodhi kjo?”, pyeti ai.