Britania shqyrton marrëveshjen për vizat e të rinjve me BE-në


Qeveria britanike nuk e përjashton më mundësinë e një marrëveshjeje për vizat e të rinjve me Bashkimin Evropian, teksa po përgatitet për një samit në muajin maj që synon “rindërtimin” e marrëdhënieve pas Brexit, përcjell BBC.

Edhe pse më herët Partia Laburiste ka deklaruar se nuk kishte plane për një skemë të tillë – e cila do ta lehtësonte punën dhe studimin jashtë vendit për të rinjtë – një marrëveshje e tillë është kthyer në një kërkesë kyçe nga BE-ja në negociatat për forcimin e bashkëpunimit mes palëve.

Downing Street refuzoi të përsëriste qëndrimin e mëparshëm kundër marrëveshjes, duke thënë se nuk do të komentonte vazhdimisht mbi negociatat.

Më shumë se 60 deputetë laburistë i kanë bërë thirrje qeverisë të arrijë një “marrëveshje të re dhe të veçantë për vizat e të rinjve” për qytetarët e Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së nën moshën 30 vjeç.

Në një letër drejtuar ministrit për marrëdhëniet me BE-në, Nick Thomas-Symonds, ata argumentojnë se një marrëveshje e ndërsjellë me viza të kufizuara në kohë dhe të kufizuara me kuota do të sillte mundësi të reja kulturore, arsimore dhe ekonomike për të rinjtë britanikë.

Kreu i Laburistëve, Sir Keir Starmer, pritet të takohet me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përpara samitit që do të mbahet në Londër më 19 maj. Qeveria laburiste synon të forcojë lidhjet ekonomike me BE-në, ndërsa të dy palët kanë shprehur gjithashtu interes për një marrëveshje të re në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, në kontekstin e luftës në Ukrainë.

Një marrëveshje e tillë për mbrojtjen mund të hapë rrugën për qasje të plotë të Britanisë në një fond të BE-së prej 150 miliardë eurosh për kredi të mbështetura nga blloku, të cilat aktualisht i kufizojnë kompanitë britanike në maksimumi 35% të vlerës së projekteve.

Ambasadori gjerman në MB, Miguel Berger, gjatë një takimi me Komisionin për Tregti dhe Biznes në Britani, tha se një marrëveshje për vizat e të rinjve duhet të jetë pjesë e një “pakete të gjerë” negociatash, duke lidhur disa çështje së bashku. Ai shtoi se qytetarët e BE-së janë përballur me shumë pengesa për të lëvizur drejt Mbretërisë së Bashkuar pas Brexitit, përfshirë “kufizime të ashpra” për vizat e punës së kualifikuar.

Skemat ekzistuese

Aktualisht, MB ofron viza për të rinjtë nga 12 vende jashtë BE-së, si Japonia, Koreja e Jugut dhe Uruguai, për të studiuar ose punuar në Britani deri në dy vjet, me mundësi shtyrjeje për disa vende si Australia, Kanadaja dhe Zelanda e Re. Këto viza janë të kufizuara me kuota vjetore dhe përfshijnë kërkesa financiare dhe tarifa shtesë për shërbimin shëndetësor.

Komisioni Evropian propozoi për herë të parë një marrëveshje të tillë për gjithë BE-në në prill të vitit të kaluar, duke sugjeruar viza katërvjeçare për të rinjtë e moshës 18-30 vjeç për të punuar, studiuar apo bërë praktikë në MB – pa tavan për numrin e vizave. Po ashtu, BE ka kërkuar që aplikantët të mos paguajnë tarifën e NHS-së dhe të kenë të njëjtat tarifa arsimore si studentët britanikë.

Polemika politike

Zyra e Brendshme e Britanisë, që ndjek objektivin e uljes së emigracionit, po kërkon që marrëveshja të kufizohet në një vit dhe të përfshijë një tavan total, në mënyrë që pjesëmarrësit të mos regjistrohen në statistikat zyrtare të emigracionit.

Kritika për marrëveshjen ka ardhur nga Partia Konservatore dhe Reforma në MB, ndërsa opozita e djathtë e udhëhequr nga Nigel Farage e ka cilësuar si “kundër vullnetit të votuesve të Brexit-it”. Ndërkohë, marrëveshja gëzon mbështetjen e fortë të Liberalëve Demokratë dhe Partisë së Gjelbër.

Ambasadori Berger këmbënguli se një marrëveshje për vizat e të rinjve “nuk ka lidhje me emigracionin”, pasi pjesëmarrësit do të largohen pasi të mbarojë afati i vizës së tyre.