Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në emisionin “Open” në News24, komentoi ashpërsimin e gjuhës gjatë fushatës zgjedhore, duke u ndalur veçanërisht te sjellja e kryeministrit Edi Rama ndaj kundërshtarëve dhe medias. Lubonja theksoi se mungesa e dialogut ka qenë një problem historik në politikën shqiptare, por sot kjo situatë është përkeqësuar nga sjellja përjashtuese e Ramës.
“Problemi është përmbajtja e kësaj gjuhe. Është histori e tërë historisë sonë politike, denigrimi dhe sharja. Gjatë 30 viteve, kush ka qenë në pushtet, ka injoruar opozitën. Nuk ka pasur dialog. Edhe Berisha kur ka qenë në pushtet këtë gjuhë ka përdorur,” u shpreh Lubonja.
Sipas tij, mënyra se si Rama komunikon me kundërshtarët politikë, por edhe me gazetarët, dëshmon për një model autoritar dhe mbyllje ndaj kritikës.
“Rama ka frikë nga debati se s’ka njerëz. Pastaj është kultura e injorimit, thotë janë plehra, kazanë dhe kënetë. Dështimi është se nuk ka dëgjuar asnjë kritikë dhe pastaj përdor gjuhën e denigrimit.”
Lubonja shtoi se brenda Partisë Socialiste është e pranishme një frymë përjashtuese, e ushqyer nga vetë kryeministri.
“Ju thotë të PS ju nuk mund të merrni pjesë në debate, injoroni ata se janë kënetë. Kjo është mungesë dialogu dhe e gabuar, sepse nuk përcjell asgjë te publiku,” tha ai.
Në përfundim, analisti theksoi se Rama e ka më të lehtë të sulmojë Sali Berishën për shkak të figurës së tij të konsumuar politikisht, duke shmangur ballafaqimin real me sfidat aktuale të vendit.