GJKKO detyron SPAK-un t’i kthejë dokumentet e sekuestruara gazetarit Elton Qyno


Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur në favor të gazetarit Elton Qyno, duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme (SPAK) të rikthejë një material të sekuestruar gjatë një kontrolli në banesën e tij në dhjetor 2023.

Bëhet fjalë për 54 fletë me deklarime të personave të pandehur, të cilat Qyno i kishte siguruar në kuadër të aktivitetit të tij profesional. Edhe pse Gjykata e Lartë kishte vendosur më 16 dhjetor 2024 kthimin e këtyre materialeve, SPAK nuk i kishte dorëzuar deri më tani.

Vendimi i GJKKO detyron SPAK-un të zbatojë urdhrin e mëparshëm të gjykatës për kthimin e dokumentacionit.

“Kishim bërë një kërkesë për kthimin e një nga provat e fundit që SPAK mbante të sekuestruar.

Bëhet fjalë për 54 fletë deklarime që i përkisnin një procesi gjyqësor në GJKKO. Edhe pse Gjykata e Lartë kishte vendosur kthimin e tyre, SPAK këmbëngulte për ta mbajtur, duke mos i rikthyer si send që unë, si gazetar investigativ, e kisha siguruar nga rrugë burimore,” deklaroi Qyno pas seancës.

Gazetari shtoi se, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi SPAK dhe e urdhëroi që të asgjësohen të gjitha të të dhënave kompjuterike që iu sekuestruan gazetarit, ai i dërgoi një kërkesë zyrtare edhe kryeprokurorit të SPAK, Altin Dumani, për kthimin e materialeve të mbetura. 

“Dumani e refuzoi përmes një shkrese zyrtare, ndaj iu drejtuam gjykatës. Sot, GJKKO na dha të drejtë dhe gjyqtari urdhëroi kthimin e provës,” shtoi Qyno.

Avokati i gazetarit, Dorian Matlija, e cilësoi vendimin e sotëm si “kapitullin e fundit” të një procesi të tejzgjatur dhe antikushtetues. 

“Vendimi i sotëm ishte kapitulli i fundit, pas asaj që ndodhi në Gjykatën Kushtetuese, e cila e vlerësoi të gjithë procesin anti kushtetues.

Gjykata e Lartë më herët kishte vendosur që sendet duhet të ktheheshin sepse nuk kishte më sens kohor të mbaheshin kaq gjatë. 

SPAK thoshte që nuk I kthejmë sepse janë marrë në mënyrë të paligjshme, se janë dokumente nga dosja.

GJKKO e mbylli këtë kapitull, duke thënë se pak rëndësi ka si i ka marrë gazetari, është puna e tij, e rëndësishme është që ka të drejtë t’i disponojë ato,” u shpreh Matlija.

Sipas tij, vendimi i sotëm përforcon edhe më tej standardin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese për mbrojtjen e burimeve të gazetarit.

“Pas atij të kushtetueses, që vendosi standardin e ruajtjes së burimit të gazetarit, sot kemi standardin tjetër që gazetari edhe sikur të ketë materiale të siguruara në mënyrë të “errëta” ai ka të drejtë t’i disponojë ato. Përshëndes gjykatën që na dha të drejtë. Kjo është shernjë e mirë që kemi të bëjmë me një sistem gjyqësor që reflekton”, theksoi avokati.